Sigal Prishtina e madhe, Berisha hero

Sigal Prishtina shënoi fitore dramatike në udhëtim te Craiova me rezultat 86:85, dhe e ruajti pozitën e dytë në Ballkan Ligën e basketbollit. Hero në triumfin e skuadrës nga kryeqyteti ishte sërish Dardan Berisha. Çereku i parë i lojës përfundoi në të mirë të Sigal Prishtinës, që krijoi avantazh të ngushtë me rezultat 24:21. Por,…

Sport

19/03/2014 18:44

Sigal Prishtina shënoi fitore dramatike në udhëtim te Craiova me rezultat 86:85, dhe e ruajti pozitën e dytë në Ballkan Ligën e basketbollit.

Hero në triumfin e skuadrës nga kryeqyteti ishte sërish Dardan Berisha. Çereku i parë i lojës përfundoi në të mirë të Sigal Prishtinës, që krijoi avantazh të ngushtë me rezultat 24:21.

Por, vendasit u kundërpërgjigjën në periudhën e dytë të lojës dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë 43:43. Craiova ishte më e mirë në çerekun e tretë dhe krijoi avantazh prej tri pikësh, 65:62 para dhjetë minuta të fundit.

Por, atëherë kur ishte më e rëndësishme, Sigal Prishtina shpërtheu dhe hyri në seri prej 15:2, duke u shkëputur dukshëm në rezultat me avantazh prej dhjetë pikësh. Mirëpo, nikoqirët nuk u dorëzuan dhe arritën të barazojnë rezultatin në 85:85.

Mirëpo, pas një huqje të tyre në sulm, Dardan Berisha bëri një kërcim dhe u fallua, tre sekonda para fundit.

Ylli kosovar shënoi në gjuajtjen e parë dhe qëllimisht e humbi të dytën, duke mos i dhënë kohë Craiovas të reagojë, dhe u bë hero në fitoren e madhe të Sigal Prishtinës.

Berisha ishte basketbollisti më i dalluar te Sigal Prishtina me 22 pikë. Por, me pikë dyshifrore duelin e përfunduan edhe Kendrick Jones (19), Blerim Mazreku (18), Aurimas Kieza (14) dhe Tay Waller 13.

Me këtë fitore, bardh e kaltrit e ruajtën pozitën e dytë me bilanc prej 10 fitore e pesë disfata.