Si u plagosën 30 vetë nga shpërthimi i bombolës (Video)
Policia e Korçës ka dhënë informacion mbi shpërthimin e ndodhur sot në fshatin Dardhas, në Pogradec, në lokalin e shtetasit Dashamir Muçka, 46 vjeç, banues në fshatin Beragozhd.

Lajme
Sipas njoftimit të policisë, shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një bombole gazi dhe ka lëndime në njerëz. Menjëherë në vendngjarje, kanë mbërritur njëkohësisht shërbimet e Policisë, të ambulancës nga Spitali i Pogradecit, si edhe ato të Zjarrfikëses.
Nga veprimet e para, të kryera në vendngjarje, rezulton se të dëmtuar në total, janë 24 persona. Nga të cilët:
14 shtetas, janë dërguar me ambulancë, në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku do të marrin atje mjekim të specializuar .
7 shtetas ndodhen në Spitalin e Pogradecit dhe
3 shtetas , po marrin mjekim në Spitalin Rajonal të Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se, në lokal përdoreshin dy bombola gazi. Njëra ka qenë në gjendje pune, e mbushur. Ndërsa tjetra, ka qenë e plasaritur (dëmtuar) dhe për pasojë ka shkaktuar rrjedhje gazi. Njëkohësisht në ambientet e lokalit, ka pasur një sobë zjarri, me dru.
Dyshohet se shpërthimi ka ndodhur, si rezultat i rrjedhjes së gazit, prej bombolës së plasaritur.
Janë ngritur grupe pune, edhe nga Inspektorati Shtetëror Teknik, për të bërë verifikimet përkatëse për kushtet teknike, në këtë ambient.
Shtetasi Dashamir Muçka (pronari) nuk ndodhej në lokal, kur ka ndodhur ngjarja. Mësohet se njëri nga djemtë e tij, shtetasi L.M, 16 vjeç, është dëmtuar dhe ndodhet në Spitalin e Pogradecit, ku po merr mjekim.
Ndërsa në Komisariatin e Policisë të Pogradecit, po merren në pyetje, në lidhje me rrethanat, se si ka ndodhur ngjarja, pronari së bashku me familjarët e tij. Grupi hetimor po punon, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjes./shekulli