Të Infektuar: 3508

Të Shëruar: 1902

Të Vdekur: 75

Si t’i ndihmojmë vetes përmes Amerikës

9:55 | 5 Mars 2020

SHBA-ja nuk po kërkon kurrfarë favori për vete, në këto raportet me Kosovën. Amerika po kërkon që ne t’i bëjë favor vetes. Asgjë më pak dhe asgjë më shumë.

Shkruan: Blerim Shala

Tash e pesë vjet, politika kosovare është vetë-pajisur me një aftësi që paralizon vetveten, apo, që kthen në një debat të pafund çështjet të cilat janë llogaritur të adresuara dhe të zgjidhura, në parim, madje atje krejt të fillimet e Lëvizjes politike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Këto qëndrime zaten, kanë marrë trajtën e përjetshme  (ashtu është llogaritur prej shumëkujt prej nesh), me përmbajtjen e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të 17 shkurtit të vitit 2008.

Një shtet dhe një shoqëri, veçmas kur shteti krijohet prej gjeneratës aktuale, me të gjitha sakrificat e mundshme, kur krijon një sistem të vlerave politike, të cilat e bëjnë atë themelin sipër së cilës bëhet ndërtesa e përbashkët shtetërore, nuk mund t’i kontestojë apo t’i vë në dyshim këto vlera, sa herë një skenë politike ballafaqohet me problemet e brendshme. Në të kundërtën, ndodhin lëkundjet e mëdha brenda vet asaj shoqërie, të cilat ndikojnë që si thuhet me atë të moçmen, ‘të humbet udha në oborr’.

Në këtë kontekst, njëra prej kryevlerave politike e shtetit të Kosovës, është raporti i Kosovës me SHBA-në.

Dikush këtu mund të thuhet që nuk ka nevojë të përsëritet që pa këtë marrëdhënie njëmend shumë të veçantë, në mes të Kosovës dhe SHBA-së, të krijuar qysh nga viti 1990-të e këndej, ne asnjëherë nuk do të bëheshim të lirë dhe kurrë nuk do të bëheshim shtet i pavarur. Ata që këtu reagojnë menjëherë duke thënë që çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës kanë qenë kauza të drejta, që ne, si shqiptarë të Kosovës me gjithë luftën dhe flijimin tonë, kemi merituar ta zëvendësojmë kobin historik me fatin e fituar në fundin e shekullit të kaluar, mbase, harrojnë që Bota është e mbushur me kauza të drejta të popujve të shtypur të cilat asnjëherë nuk marrin epilogun e duhur. Nëse një kauzë e drejtë nuk merr mbështetjen e fuqive të mëdha, siç ishte rasti me ne, në vijim të mbështetjes së jashtëzakonshme të SHBA-së, ajo mbetet vetëm një tragjedi e radhës.

Raportet Kosovë – SHBA janë rishfaqur në debatet politike dhe mediatike kohëve të fundit, për shkaqe të njohura për të gjithë, në trajtimin e temës së suspendimit apo heqjes së tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe pse në parim, kush nuk guxon t’i vë në pikëpyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë këto marrëdhënie  (sepse dihet se cili është vlerësimi i tyre prej qytetarëve të zakonshëm të këtij shteti), nuk po arrihet dot të kuptohet si duhet se për çfarë bëhet fjalë, në të vërtetë.

Shkurt dhe shqip: SHBA-ja këtu nuk po kërkon kurrfarë favori për vete, në këto raportet me Kosovën. Mbase, edhe po të kishim ne ndonjë mundësi të tillë  (për t’i bërë një të mirë politike Amerikës), ajo do të duhej gjithsesi të realizohej prej nesh.

Amerika po kërkon që ne t’i bëjë favor vetes. Asgjë më pak dhe asgjë më shumë.

Diçka këtu  (në mos shumëçka), nuk është në rregull.

Tash e sa vjet, në këtë politikën kosovare, thuaja nga të gjitha liderët dhe subjektet politike, pa marrë parasysh a kanë qenë në Qeveri apo në opozitë, është kërkuar që SHBA-ja ta merr rolin kryesor në dialogun në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe të Beogradit. Ky qëndrim kategorik politik i politikanëve kosovarë, është bazuar kryekëput në vlerësimin që vetëm këmbëngulja diplomatike amerikane mund të krijojë rrethanat kur Kosova dhe Serbia do të mund ta arrijnë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Për më shumë, në dy vitet e fundit, Administrata Amerikane e ka bërë shumë të qartë, në nivelet më të larta të saja, se si e sheh Washingtoni zyrtar epilogun e këtyre bisedimeve dhe çfarë është për te thelbi i kësaj Marrëveshjeje: Njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, këtu mund të renditen edhe një mori faktesh dhe argumentesh të tjera të cilat vetëm sa do ta përforcojnë atë qëndrimin të cilin e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, por të cilin nuk e dinë dhe nuk e pranojnë të gjithë politikanët e Kosovës.

Rëndom, kudo në Botën demokratike, elitat politike kanë dijen, urtinë dhe mençurinë që nuk e kanë qytetarët e zakonshëm të një shteti. Ndërsa te ne po ndodhë e kundërta. Dhe kjo po kuptohet gjithnjë e më shumë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)