Si po poshtërohen Lutfi Haziri dhe Agim Veliu nga Isa Mustafa?

Isa Mustafa po përpiqet me çdo kusht që ta kontrollojë vetë partinë, duke i eliminuar Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun. Por, a po rrezikon ai ta përçajë fort LDK-në, duke i eliminuar rugovistët?

Lajme

25/08/2019 16:27

Isa Mustafa, me një skenar perfekt, po arrin që ta shpartallojë LDK-në tradicionale të Ibrahim Rugovës, për ta mbajtur atë tërësisht në duart e veta dhe për ta ndarë pastaj pushtetin me klanin e tij.

Kur Lutfi Haziri dhe Agim Veliu shfaqën hapur ambiciet e tyre për Kryetar të LDK-së, Mustafa me mjeshtëri i eliminoi ata nga gara në momentin e fundit, me arsyetimin se partia ka nevojë për një kandidat konsensual.

Vetëm një javë para se të zgjidhej vetë kryetar i LDK-së, Isa Mustafa kishte pohuar para disa anëtarëve të Kryesisë se nuk e ka ndërmend të kandidonte, ndërkohë që fshehurazi tyre kishte nisur lobimin për vete te delegatët që do të votonin.

Kjo ishte thika e tij e parë për Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun, pas asaj që kishte nxjerr për shefin e tij Fatmir Sejdiun në vitin 2010.

Por, Mustafa duket se ka bërë gati një tjetër thikë për Lutfi Hazirin. Kësaj radhe, për ta tradhtuar një marrëveshje që mendohet se është bërë mes tyre për të nominuarin e LDK-së për Kryeministër në zjedhjet e parakohshme që do të mbahen pas një muaji.

Tash, Mustafa thuhet se dëshiron ta nominojë Vjosa Osmanin, edhe pse është i vetëdijshëm që me këtë hap mund ta përçajë seriozisht partinë.

Burime të lajmi.net thonë se Lutfi Haziri dhe Agim Veliu e kanë përjetuar rëndë tradhtinë e Mustafës. Këtë, ata e treguan me bojkotimin që ia bënë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, të shtunën.

Veprimet e Isa Mustafës duket se janë një goditje e fuqishme e gjeneratës që nisi karrierën politike me Ibrahim Rugovën, liderit të saj historik, në filozofinë politike të të cilit thirret gjithmonë LDK.

Por, a po rrezikon ai ta përçajë fort LDK-në, duke i eliminuar rugovistët?

Kjo do të shihet të hënën, kur pritet të mbahet mbledhja tjetër e Kryesisë së LDK-së, për të vendosur se kush do të jetë i nominuari i tyre për Kryeministër dhe a do të shkojë kjo parti apo jo në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen. /Lajmi.net/