Si ndodhi gjithçka? Ushtarakët shqiptarë në gjendje të mirë pas përballjes me 3 shtetasit rusë e ukrainas mbrëmë
Dy ushtarë shqiptarë, roje të fabrikës së prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar të shtunën nga 3 shtetas rusë e ukrainas. Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë e ka konfirmuar sulmin dhe ka njoftuar se sulmuesit janë arrestuar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë…

Lajme
Dy ushtarë shqiptarë, roje të fabrikës së prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar të shtunën nga 3 shtetas rusë e ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë e ka konfirmuar sulmin dhe ka njoftuar se sulmuesit janë arrestuar.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”.
Dy ushtarakët pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar për rrethanat se si ka nodhur ngjarja. Sipas tyre, në afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.
“Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij”, shpjegon Policia.
Personat e arrestuar janë 2 shtetas rus, një burrë 24 vjeç dhe një grua 33 vjeçare, si dhe një shtetas ukrainas 25 vjeç.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama lavdëroi ushtarët që “neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh” por nuk dha detaje tjera mbi incidentin.
Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!
— Edi Rama (@ediramaal) August 20, 2022
Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka postuar fotografi të dy ushtarëve që u sulmuan, për të cilët shprehu mirënjohje, por as ai nuk dha informacione tjera rreth kësaj ngjarjeje.
Shqipëria është pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s që nga viti 2009.
Uzina e Gramshit është një ndër tre uzinat ushtarake të Forcave të Armatosura dhe që është përfshirë në procesin e demontimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.