“Si i bleu Rexhep Selimi banesat e shtrenjta, si i bëri uzurpimet dhe privatizimet”

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, është pyetur për uzurpimet dhe privatizimet që ka kryer anëtari i kësaj partie, Rexhep Selimi, njëherësh kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Lajme

25/05/2017 23:27

Në një debat në RTV Dukagjini, gazetari Parim Olluri ka përmendur banesat e shtrenjta të Rexhep Selimit, dhe uzurpimet e privatizimet që ai ka kryer.

“A ia ka bërë Rexhep Selimit pyetje dikush brenda Vetëvendosjes: Qysh ndodhi që në vitin 1999 të blejë 120 mijë euro banesë në Prishtinë?”, ka pyetur Olluri, Molliqajn.

“Qysh ndodhi që vëllai i tij, Islam Selimi, të ururpojë për 15 vjet në qendër të Prishtinës, te rrethi, një ndërmarrje shoqërore, e cila nuk ka pasur as llogari bankare, por paratë nga qiraxhinjtë i ka futur në xhep. Nuk i ka raportuar kurrë agjencisë së privatizimit”, ka pyetur Olluri.

Kurse, sekretari i VV’së, Molliqaj, është munduar ta japë një sqarim lidhur me çështjet që ka ngritur Olluri.

Molliqaj ka thënë se Selimi ka dhënë sqarime për këto punë në një konferencë për media.

“Rexha i ka sqaruar tërë këto çështje në një konferencë për media. Ka treguar se si janë krijuar këto pasuri dhe banesat”, ka thënë ai.