Si duhet të trajtohen të kthyerit nga Siria dhe cila është sfida e risocializimit të tyre

Në Kosovë nga Siria janë kthyer 110 persona, e prej tyre 74 fëmijë, 32 gra dhe 4 burra.

Lajme

24/04/2019 20:59

Në mesin e 74 fëmijëve që janë kthyer nga Siria, 9 prej tyre janë pa prind – të cilët i kanë humbur në luftën e Sirisë, shkruan lajmi.net.

Por, përveç sfidës për ballafaqim ligjor të të akuzuarve për terrorizëm, institucionet e Kosovës do të përballen edhe me sfidën e riatdhesimit dhe risocializimit të të kthyerve nga Siria.

Në lidhje me këtë sfidë, lajmi.net ka kontaktuar me sociologun Jeton Brajshori i cili është shprehur se duhet të kemi kujdes në trajtimin e tyre duke u bazuar edhe në rrethanat në të cilat kanë shkuar në këto lufta.

“Së pari, ekzistojnë disa rrethana që duhet të kemi parasysh kur flasim për njerëzit që kanë shkuar në Siri: A kanë shkuar në mënyrë vullnetare, a kanë qenë të detyruar apo thjesht kanë qenë viktima të njerëzve të caktuar dhe ideologjive të caktuara që kanë të bëjnë me religjionin, apo ka qenë edhe konformizmi dhe shmangia që u është bërë nga shoqëria duke i etiketuar si familjarë të njerëzve që kanë shkuar në luftë në Siri (është fjala për gratë dhe fëmijët është dashur që të dëgjojnë prindërit dhe me siguri janë marrë pa vullnetin e tyre). Pra, ka shumë faktorë që duhet të kihen parasysh dhe të trajtohen me kujdes sa i përket kësaj pjesë”, tha Brajshori.

Ai gjithashtu është shprehur se secili njeri ka nevojë për një shans të dytë.

“Mirëpo secili njeri ka nevojë për një shans të dytë sepse secili gabon varësisht nga krimi që ka bërë, krim quhet që nga një vjedhje e vogël e deri në vrasje masive, pra duhet të dihet njëherë çfarë roli kanë luajtur këta të kthyer atje”, vazhdoi Brajshori për lajmi.net.

Brajshori ka tërhequr vërejtje se ne si shoqëri duhet të kemi kujdes të mos i stigmatizojmë këta të kthyer sepse nëse fillojnë të refuzohen ata mund të përsërisin këtë gabim.

Gjithasht ai ka shtuar se këta fëmijë duhet të integrohen në shoqëri me ndihmën e psikologëve duke i trajtuar traumat që kanë përjetuar atje.

“Sepse ne si shoqëri duhet të kemi kujdes që mos t’i stigmatizojmë këta të ardhur sepse nëse fillojnë të refuzohen nga të gjitha sferat e shoqërisë, ata me siguri se mund ta përsërisin përsëri gabimin. Kujdesi më i madh duhet të përqendrohet në ndihmën e psikologëve duke i trajtuar traumat që kanë përjetuar atje. Punëtorët socialë dhe mësimdhënësit që duhet t’i shohin njëjtë si fëmijët e tjerë e assesi të bëjnë ndonjë dallim me të tjerët (të shtohet edhe kujdesi në shkolla nga ngacmimet e nxënësve “Bullying”, fatkeqësisht shumica e tyre kanë humbur edhe prindërit dhe duke e ditur që familja është bërthama e shoqërisë duhet të punohet me ta vazhdimisht duke i integruar dhe angazhuar më shumë”, tha Brajshori më tutje.

Sipas Brajshorit, ekziston ende mundësi radikalizmi dhe kjo sipas tij vjen nga interpretimet e ndryshme të dogmave fetare.

“Radikalizimi ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë ende, jo vetëm tek ne por në të gjitha shtetet. Interpretimet e ndryshme të dogmave fetare kanë bërë që një shumë e të rinjve tanë të shkojnë në lufta të pakuptimta siç është ajo në Siri. Shteti duhet të ketë kujdes me individ të caktuar që predikojnë këtë aspekt mirëpo edhe vet të rinjtë kanë filluar të vetëdijesohen duke e parë që edhe disa të kthyer më herët nga Siria kanë bërë fushata që kanë ndikuar për të mirë në mos-shkuarjen e të tjerëve”, tha Brajshori.

Sociologu Brajshori ka thënë se ka disa faktorë të cilët i shtyjnë njerëzit në radikalizim e kryesorja prej tyre është ideologjia fetare e interpretuar mbrapshtë nga disa klerikë.

“Ekzistojnë disa faktorë që shtyjnë njerëzit në radikalizim. Kryesorja tek ne është ideologjia fetare e interpretuar mbrapshtë nga disa klerikë, duke interpretuar se kjo luftë bëhet për një të mirë të përgjithshme dhe benificionet nga kjo luftë do t’i keni si në këtë botë ashtu edhe në botë tjetër! Arsye tjetër janë edhe kushtet e rënda ekonomike, me qëllim se ndoshta do të përfitojnë diçka nga e gjithë kjo dhe marrja me dhunë e pjesëtarëve të familjes që ka ndodhur tek ne, ka raste kur edhe personat nga vendet perëndimore kanë shkuar për të luftuar, ata janë cilësuar si njerëz të frustruar duke mos e gjetur vetën askund dhe njerëz të karakterit të mbyllur dhe jo-social”, tha në fund Brajshori për lajmi.net.

Vlen të theksohet se ministri i drejtësisë Abelard Tahiri është shprehur se do të merren të gjitha masat nga të gjitha institucionet në mënyrë që të bëhet riatdhesimi dhe risocializimi i të kthyerve nga Siria.

Ai është shprehur se ata të cilët kanë shkelur ligjet do të vendosen para drejtësisë ndërsa të tjerët do të trajtohen në atë mënyrë që e meritojnë. /N.S /Lajmi.net/