Si duhet të krijohet Asociacioni i Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës?

Aktivizimi i liderëve politikë të Luginës së Preshevës për themelimin e një Asociacioni të Komunave Shqiptare cilësohet si joserioz nga Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Lajme

11/09/2015 20:02

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se nuk e kundërshton idenë e reciprocitetit dhe krijimit të një bashkësie shqiptarësh në Luginë, por deri më tani nuk ka parë se kjo çështje është trajtuar me seriozitet nga liderët atje.

“Thirrja për një mbledhje ku do të iniciohej themelimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi është veprim i ngutshëm. Në Luginë problemi është se luhet lojë e dyfishtë për poenë politikë. Kjo nguti, pa përgatitje serioze, duke iu dërguar këshilltarëve vetëm ftesë pa asnjë material përgatitës për një çështje kaq me rëndësi, e dëshmon sa të përkushtuar janë rreth kësaj ideje”, tha ai.

Sipas tij, në Serbi shqiptarët kanë shumë probleme politike dhe pak të drejta, prandaj një projekt të tillë politik e sheh me skepticizëm.

Kurse Naim Rashiti, analisti politik dhe njohës i situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është shprehur në përkrahje të kësaj ideje, duke thënë se një veprim i tillë politik i liderëve atje është gjëja e duhur që duhet bërë.

“Është mirë që diçka e tillë është filluar. Esenca nuk është te krijimi, por te ajo se çfarë po bëjnë liderët për ta themeluar këtë asociacion. Një bashkësi komunash shqiptare në Serbi nuk do ta afektonte vetëm spektrin politik, por tërë shoqërinë në atë rajon”, ka thënë ai.

Megjithatë, Rashiti këmbënguli se është Prishtina zyrtare është ajo që duhet të marrë qëndrim karshi këtij projekti politik që po tenton të iniciohet, duke i kërkuar Halimit që ta japë përkrahjen e tij.

“Prishtina duhet t’ia bëjë të qartë Beogradit kërkesat e veta. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka qëndrim konkret karshi themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Prishtina ka dështuar. Nuk ka ndihmë dhe nuk ka një qasje kohezive karshi shqiptarëve të Preshevës. Po i trajton ata me joseriozitet”.

Halimi deklaroi se një ide e tillë kërkon më shumë impenjim nga liderët shqiptarë, duke filluar nga uniteti, kurse Rashiti tha se esenciale për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi është edhe përkrahja e Prishtinës zyrtare. /Klan Kosova/