Shyqëri Haxha fton për shpëtimin e PTK-së, rikthehet në postin e drejtorit?

Ka më shumë se dy vjet që u largua nga udhëheqja e ndërmarrjes më profitabile në vend, Postë Telekomi i Kosovës (PTK). Ish kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Shyqri Haxha mbase pretendon të rikthehet përsëri në krye të PTK-së.

Lajme

05/01/2015 17:27

Pas shkarkimit të Ejup Qerimit nga pozita e kryeshefit, kjo ndërmarrje ka hapur konkurs për të parin e PTK-së, ndërsa konkursi do të jetë i hapur deri më 30 janar.

Burime të gazetës Tribuna bëjnë të ditur se në këtë konkurs pritet të konkurrojë edhe ish kryeshefi Shyqri Haxha.

“Që kur Shyqri Haxha ka dhënë dorëheqje nga PTK, të hyrat e kësaj ndërmarrje pothuajse janë përgjysmuar. Haxha mendon të rikthehet në ndërmarrje nëse e gjen hapësirën, pasi që konsideron se mund ta ngre ndërmarrjen aty ku ishte vite më parë”, ka thënë një burim i afërt me PTK-në.

Në anën tjetër, Haxha nuk ka dashur të komentojë rreth rikthimit të mundshëm të tij në PTK, duke mos e mohuar një gjë të tillë.

Mirëpo, në një postim në Facebook, Haxha ka shkruar se institucionet e vendit duhet të ndërmarrin masa që kjo kompani të shpëtohet nga degradimi i mëtutjeshëm.

“Nëse shikohen me kujdes të hyrat totale, dividendi, shkalla e investimeve, shërbimet e ofruara, çmimi i thirrjeve dhe numri i konsumatorëve për periudhën 2009-2011, dhe krahasohen me periudhat tjera, e posaçërisht me periudhën 2012-2014, atëherë vërehet qartë se diçka e ‘jashtëzakonshme’ dhe e ‘pakuptueshme’ po ndodh me këtë kompani publike!”, ka shkruar Haxha.

Haxha, pas tre vjetësh menaxhimi të PTK-së pati dhënë dorëheqje me arsyetimin se i ishte zvogëluar hapësira e veprimit për realizimin e vizionit të tij për zhvillimin e korporatës. /Gazeta Tribuna/