Shumë zhurmë për Ligjin kundër Zhurmës

Deputetët Gëzim Kelmendi e Arben Gashi kanë diskutuar mbi debatin në lidhje me ligjin që ndalon zhurmat. Gashi thotë se është keqkuptuar ky ligj. Ndërsa Kelmendi thotë se një gjë e tillë ka fyer drejtpërdrejt ndjenjat e besimtarëve.

Lajme

04/02/2014 17:31

Ligji i vënë në votim para disa ditësh i cili ndalon zhurmat në qytet ka ndezur debat në një pjesë të madhe të qytetarëve. Bëhet fjalë për pjesën e cila futë zërat e objekteve fetare në cilësimin “zhurmë”.

Këtu të dy deputetët, si Kelmendi e Gashi, pajtohen për gabimin. Por, ky i fundit thotë se debati s’ka qenë i nevojshëm pasi një gjë e tillë mund të jetë përmirësuar.

Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK’së tha në emisionin Info Magazinë të Klan Kosova  se në ditën kur po miratohej ky ligj, sjellja e deputetit Kelmendi nuk ishte e duhur, ndërsa edhe sjellja e Partisë së Drejtësisë atij i ngjante e tillë.

Ai madje e ka pyetur Kelmendin se pse Partia e Drejtësisë po qëndron në qeveri, nëse qeveria e ka sponsoruar këtë ligj.

PD është pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe e drejton Ministrinë e Shëndetësisë me Kryetarin e partisë, Ferid Agani.

Arben Gashi, LDK

“Ky ligj absolutisht nuk është kundër ezanit. Sjellja e PD’së ka qenë jo e ndershme politikisht, dhe jo e saktë. Moralisht PD’ja ka bërë një gabim shumë të madh. Ministri Dardan Gashi ka qenë I paaftë ta mbrojë atë, ka dështuar, sepse s’e ka lexuar vetë. Në këtë rast edhe Qeveria ka dështuar”.

“Ligji nuk është ai çfarë po thoni ju. Nëse ligji është ashtu siç po thonë PD’ja atëherë çfarë lypin këta në Qeveri. Ligji është teknikisht në rregull”.

“Po akuzoj njerëzit që kanë folur në parlament, që kanë nxitur shqetësim për të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi që besojnë në Zot dhe, që kanë të drejtë të besojnë në Zot”.

“Ajo çështja a quhet zhurmë a quhet zë është e riparueshme. Problemi i vetëm i këtij ligji është përdorimi i fjalës zhurmë. Ky ligj është dashur të përmirësohet. Teknikisht është e rregulluar dhe politikisht është e rregulluar. Nuk ka kurrfarë problemi, krejt kjo është çështje artificiale, ka nxitur ndjenjat  e qytetarëve”.

“Edhe Kelmendi edhe të tjerët, jam i bindur se nuk e kanë lexuar ligjin. Qëllimi kryesor i ligjit është t’i kontrollojë zhurmat industrial, motorike, kontrollimi i kafeve bareve”.

Në anën tjetër deputeti nga Partia e Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, ka thënë se ky ligj i ka fyer drejtpërdrejt qytetarët. Sipas tij, Dardan Gashi, ka vepruar pro me Qeverinë, teksa është në opozitë duke rënë në kundërshtim me veten e tij.

Gëzim Kelmendi, PD

“Kemi të bëjmë me një nene i cili ka fyer drejtëpërdrejt ndjenjat e besimtarëve. Është shumë ofenduese për besimtarët e krishterë e musliman që zëri qoftë i ezanit qoftë i kambanave të trajtohet si burime të zhurmës”.

“Unë kam marrë direktivën e BE’së. Askund nuk mund ta gjeni se kambana a ezani janë burime të zhurmës”.

“Ne nuk jemi sponzoruesit e ligjit. Ne e kemi kundërshtuar qeverinë ju e keni përkrahur. Ajo çfarë po thoni këtu çfarë prezantove për ligjin e ministrin, ju në praktikë e keni bërë të kundërtën, keni votuar pro”.

“Ky debat nuk është i rëndësishëm. Tërë viti 2013 na ka shkuar me debate të tilla. Dhe ka nisur edhe ky vit ashtu. Ne kemi kritere për të hyrë në BE, ndërsa kemi bërë pengesa. Raporti i Progresit për 2013 e cilëson Kosovën si vendin më të lartë të korrupsionit. Nuk është koha që në emër të fesë të përfitojmë në anën tjetër”.

“Shqetësim ka ngjarë në vota duke përfshirë edhe votën e juaj si opozitë. Me rëndësi çfarë kemi ne në dokument. Çështja e përdorimit të fjalës zhurmë është e përmirësueshme por ju nuk e keni hapur rrugën, e keni votuar për ligjin”, tha Deputeti Kelmendi në Info Magazinë të Klan Kosovës.