Shumë presion në Messin

Ernesto Valvedre nuk pajtohet me njerëzit që e kritikojnë Lionel Messin, duke insistuar se nga ylli argjentinas nuk duhet kërkuar gjithmonë që ta vendos lojën. Trajneri i Athletic Bilbaos ia ka frikën ‘Pleshtit’, para duelit të së dielës.

Sport

17/04/2014 20:02

Trajneri i Athletic Bilbaos, Ernesto Valverde thotë se është e gabueshme që kërkohet nga Lionel Messi që të jetë vendimtar në çdo ndeshje.

Trajneri i klubit bask i bëri këto deklarata para përballjes së këtyre dy skuadrave të dielën, në kuadër të xhiros së 35-të të La Ligas.

Messi ka qenë nën nivelin e tij të zakonshëm, në tri humbjet radhazi që i pësoi Barcelona, të fundit të mërkurën mbrëma në finale të Copa del Rey, 2:1 nga Real Madridi.

“Ajo që na intereson ne është se çka do të bëjë Messi të dielën, jo ajo çka ka bërë më herët”, deklaroi fillimisht Valvedre në konferencë për shtyp.

“Gjëja e gabueshme është se nga Messi kërkohet që të jetë vendimtar në çdo lojë, kjo është e vështirë. Ai nuk po e shijon formën që e kishte më parë, por mund ta zhbalancojë lojën në çdo moment”, vazhdoi ai.

Bilbao gjendet në pozitën e katërt, një më poshtë se Barcelona, para duelit që do të luhet të dielën në Camp Nou.