Shumë keq për Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka telashe të mëdha.

Sport

09/09/2016 11:25

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe tifozët kosovarë me padurim dhe me entuziazëm e prisnin debutimin e përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e Kampionatit Evropian të basketbollit “EuroBasket 2017”.

Madje, shtëpia e basketbollit punoi shumë në ndërtimin e përfaqësueses, për një debutim sa më dinjitoz. Edhe “Dardanët” ishin mobilizuar. Por, krejt kjo sikur po shkon huq. Përfaqësuesja ka startuar mjaft dobët.

Ende nuk ka shijuar fitore, por i ka pësuar tri humbje – nga Sllovenia, Ukraina e së fundmi edhe nga Bullgaria. Për potencialin jo fort konkurrues të skuadrës është ditur thuajse qysh para fillimit të eliminatoreve.

Por se skuadra do të “vetëshkojë” veç tatëpjetë, kjo nuk është pritur nga askush. Dhe diçka e tillë po ndodh. Gazeta “Zëri” ka mësuar se dita-ditës motivi i skuadrës po zbehet, ndërsa atmosfera brenda saj secilën herë po shkon duke u prishur.

Shkëndijat e para të përkeqësimit të atmosferës në mesin e reprezentuesve kosovarë ishin vërejtur qysh në fazën përgatitore.

Shtabi teknik ishte i pakënaqur me gjendjen fizike të lojtarëve, kurse këta të fundit ishin të pakënaqur në minutazh. Shkaku i kësaj, Urim Zenelaj ishte larguar nga përfaqësuesja ende pa u zbuluar lista finale.

Por, rrugës së Zenelajt ia mësynë edhe lojtarë tjerë, madje edhe pas fillimit të eliminatoreve. “Zëri” ka mësuar se Alban Veseli kishte shprehur haptazi pakënaqësi, madje pas ndeshjes me Ukrainën i kishte njoftuar edhe zyrtarët e FBK-së se më nuk dëshiron të jetë pjesë e Përfaqësueses.

Por, Veseli kishte ndryshuar mendjen për hir të shtetit dhe tifozëve. Zyrtarë të FBK-së e kanë bindur të vazhdojë deri në fund të eliminatoreve. Janë basketbollistët që në kushte anonimiteti i kanë konfirmuar “Zërit” se atmosfera në përfaqësuese është larg nivelit normal. Disa prej tyre kanë theksuar se trajnerët janë të pakënaqur në disa lojtarë dhe në sjelljet e tyre. Por, ka edhe lojtarë të pakënaqur në trajnerë. Pra, pakënaqësitë janë reciproke.

Situatën jo normale e konfirmon edhe FBK-ja, por thekson se gjendja nuk është edhe aq alarmuese sa mund të mendohet. “Është e pamundur të mos ketë pakënaqësi pas tri humbjeve të cilat i kemi pësuar në këto tri ndeshje. Lojtarët nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatet dhe kjo situatë në të cilën ndodhemi sjell pakënaqësi në skuadër”, thotë për “Zërin” sekretari i FBK-së, Leart Hoxha.

“Nuk është diçka alarmante, pasi nuk kemi probleme të mëdha brenda ekipit. Nuk ka ndodhur deri më tani që ndonjë basketbollist të mos vijë në stërvitje apo të shkaktoj probleme brenda ekipit. Thjeshtë janë momente pasi ka edhe lojtarë të cilët ende janë pa ekip dha kanë edhe preokupime të tjera”, u shpreh ai.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4