Shumë fëmijë të Kaçanikut më sëmundje parazitare

Mjekët polak vazhdojnë të bëjnë diagnostifikimin e sëmundjeve parazitare tek fëmijët e moshave 6 – 15 vjeç

Lajme

23/11/2016 12:50

Ekipi mjekësor nga i Instituti i Epidemiologjisë dhe Mjekësisë Tropikale në Varshavë i prirë nga profesori kolonel Krzysztof Korzeniewski, ka vazhduar edhe sivjet zbatimin e programit për diagnostikimin e sëmundjeve parazitare të sistemit tretës tek të rinjtë e Kosovës, të moshave 6 – 15 vjeç, së bashku me pjesëmarrjen aktive të mjekëve nga Kosova.

“Ekipi i mjekëve polak sivjet kanë marrë mostrat për të gjithë nxënësit e kësaj grupmoshe të shkollës në Biçec, Dubravë dhe “Emin Duraku” në Kaçanik, ndërsa vitin e kaluar ishin shpërndarë 628 mostra për nxënësit e shkollave në Glloboçicë, Stagovë, Doganaj dhe Bob”, ka bërë të ditur Komuna e Kaçanikut.

Nga gjithsej 308 mostra të marra nga fëmijët e shkollës në Gllobiçicë, 44 kanë rezultuar të infektuara apo 11,3 %, në Stagovë nga gjithsej 178 mostra, të infektuara kanë rezultuar 32 apo 18 % dhe në Doganaj nga gjithsej 142 mostra 22 kanë rezultuar të infektuara apo 14,1%.
Mjekët polak, përveç tjerash, po ashtu janë njoftuar edhe me gjendjen e përgjithshme të QMF-ve që kanë vizituar dhe kanë bërë identifikimin e mungesave dhe nevojave të këtyre njësive ambulatore, të cilat brenda mundësive do të jenë subjekt i ndihmave të mëtejshme humanitare e sidomos atyre në komunitetet e varfra, të cilat i përkasin rajonit te përgjegjësisë të Kontingjentit Ushtarak të KFOR-it polak.

Po ashtu, ata u interesuan për nevojat që kanë pikat ambulatore për barna mjekësore, materiale të cilat shërbejnë për mjekimin e plagëve dhe për këshilla mjekësore të specializuara, të cilat mund te realizohen përgjatë vizitave të tjera në Kosovë. Mjekët polak janë shprehur se shkëmbimi i eksperiencave mes tyre dhe mjekëve kosovar, do të shërbejë për të vazhduar programin diagnostikues në të ardhmen, ndërsa theksuan se veprimtari të tilla ndikojnë pozitivisht në krijimin dhe mirëmbajtjen e një lidhje të drejtpërdrejtë midis forcave të KFOR-it dhe institucioneve vendore dhe komuniteteve./Lajmi.net