Shuhen shpresat e kosovarëve për liberalizim të vizave

Komisionerja evropiane për çështje të brendshme, Cecilia Malmstrom ka zbehur shpresat se liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të ndodhë gjatë këtij viti.

Lajme

07/04/2014 19:26

Malmstrom, e cila jep vulën e fundit në vlerësimin nëse Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim, i është përgjigjur deputeteve të Parlamentit Evropian, Tanja Fajon dhe Ulrike Lunacek, ku ajo nënvizon se liberalizimi mund të ndodhë vetëm në atë moment kur autoritetet kosovare i plotësojnë të gjitha kushtet që janë të përcaktuara në udhërrëfyes.

Lunacek dhe Fajon kanë kërkuar muajin e kaluar nga Komisioni Evropian përshpejtim të procedurës dhe dhënie të rekomandimit për heqje të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti. Por, Cesilia Malmstrom në përgjigjen e saj tërheq vërejtjen se procesi i vizave bazohet në merita e jo, siç shprehet ajo, në afate e korniza kohore, transmeton RTKlive.

“Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë i qartë në lidhje me këtë dhe asnjëherë nuk kemi dhënë shpresa të kota. Kosova duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet që dalin nga udhërrëfyesi dhe duhet të demonstrojë se në momentin kur të hiqen vizat, nuk do ekzistojë më rreziku nga migrimi apo ndonjë rrezik që ka të bëjë me siguri”, shkruan Malmstrom në letrën e dërguar Parlamentit Evropian. “Vetëm kur të ndodhin këto, Komisioni Evropian do rekomandojë heqjen e vizave për Kosovën”, porosit ajo.

Ulrike Luncek dhe Tanja Fajon, të cilave iu drejtohet Malmstrom me letër, e cilësuan përgjigjen e Komisionit Evropian si tejet dekurajuese.

“Pavarësisht kësaj, ne do vazhdojmë të insistojmë se duhet hequr vizat për qytetarët e Kosovës”, deklaroi europarlamentarja sllovene Fajon.

Ulrike Lunacek – raportuese për Kosovën në PE pranon se ka pritur përgjigje më inkurajuese pasi që, sipas saj, populli i Kosovës meriton të ketë të drejtën e lëvizjes. Lunacek i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbushin të gjitha kushtet që dalin nga udhërrëfyesi, në mënyrë që të argumentohet edhe më fuqishëm kërkesa për heqje të regjimit të vizave.