Shuarja e klasës së 13-të rrezikon punën e 100 mësimdhënësve

Shuarja e klasës së trembëdhjetë në nivel Kosove përbën rrezikun që vetëm në Komunën e Prishtinës të mbeten pa punë ose pa normë të plotë në mësim rreth 100 arsimtarë.

Lajme

13/06/2014 09:39

Ky shqetësim është shfaqur edhe më herët nga punëtorët arsimorë, por tashti kur mësimi në shkollat e mesme ka përfunduar, është rritur edhe më shumë, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

“Kam punuar tashmë 20 vjet në procesin edukativo-arsimor, kurse pas gjithë kësaj mund të mbetem pa punë”, ka thënë M.K., punëtor arsimor në një shkollë të mesme profesionale në Prishtinë, derisa ishte I pashpresë se pos arsimit do të mund të gjente punë diku tjetër. Kështu pasi, siç u shpreh ai, të vetmin profesion për të cilin ishte përgatitur ishte puna në arsim.

Mirëpo, shqetësimin se do të mbeten pa punë profesorët që kanë punuar vetëm me klasë të trembëdhjeta e ka zbutur drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, sipas të cilit me zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër paralele dhe me shtimin e paraleleve të reja shumë nga arsimtarët do të sistemohen.

Ai ka thënë se Drejtoria e Arsimit tashmë e ka planin se sit a mënjanojë rrezikun e humbjes së punës për arsimtarët prishtinas.