Shtyrja e zgjedhjes së bordeve, pasojë e pazareve politike

Afër pesë muaj që nga formimi i institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë arritur ende të kompletojnë bordet e disa ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura.

Lajme

27/04/2015 17:22

Përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile e quajnë të pa arsyeshme zvarritjen e emërimit të anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se vonesën e emërimit të drejtorëve të këtyre bordeve është duke e shkaktuar pazari politik i cili është duke u bërë ndërmjet partive në pushtet.

“Kemi pazarllëk partiak, pazarllëk ky që nuk jep kualitet apo profesionalizëm për këto borde, por jep mundësi për rehabilitim të njerëzve të partive, të cilët nuk janë profesionalë dhe për rrjedhojë kemi pastaj politika jo të mira të privatizimit dhe nuk kemi politika që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit”, shton Zogaj.

Mos kompletimi i ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, sipas përfaqësuesve të shoqatave ekonomike, është duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në të bërit biznes në vend.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për REL se kompletimi i bordeve në ndërmarrjet publike është një ndër sfidat kryesore që duhet të përmbushen sa më shpejtë që është e mundur.

“Një dështim i kompletimit të këtyre bordeve është duke reflektuar në performancën e ndërmarrjeve publike si dhe në shumë vendime që janë të rëndësisë së veçantë”.

“Në veçanti bordet më akute që duhet të përshpejtohen për tu kompletuar është bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ai i Minierave dhe Mineraleve. Në mungesë të kompletimit të këtyre bordeve, sot edhe Trepça punon pa licencë, Ferronikeli punon pa licencë. Në rast të dështimit të këtyre ndërmarrjeve pasojat janë të mëdha”, thekson Gërxhaliu.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se gjatë muajit prill do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Edhe Safet Gërxhaliu thekson se këto borde duhet të depolitizohen.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, Bordi i drejtorëve i një ndërmarrje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti jo shumicë. Drejtorët zgjidhen nga Qeveria dhe shkojnë në miratim në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.