Shtyrja e seancës në favor të PDK-së (video)

(E Plotësuar) Blloku LDK-AAK-Nisma e cilëson si të papranueshme shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë si një tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve.

Lajme

12/09/2014 14:19

Pas takimit të sotëm të bllokut, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shtyrja e kësaj seance është vetëm në të mirë të PDK-së.

“Secila parti që ka shqetësime mund t’i paraqes ato edhe në seancë. Është plotësisht jashtë logjikës të shtyhet seanca për arsye të vogla. Kjo më shumë është një ndihmesë që po i bëhet PDK-së nga ana e kryesueses, dhe është vazhdim i bllokadës institucionale. Kjo bllokadë nuk mund të tejkalohet pa e kuptuar PDK-ja që askush nuk dëshiron të bëhet pjesë e mënyrës së keqe që ata qeverisin”, ka thënë Haradinaj.

Kurse, kryetari i LDK-së dhe i nominuari i LAN për Kryeparlamentar, Isa Mustafa tha se kryesuesja me shtyrjen e seancës ka marrë edhe një herë rolin që nuk i takon. Është e qartë se po punon në të gjitha mënyrat që t’i blejë kohë  PDK-së.

“Shtyrja e kësaj seance është një lloj dëshmie se si Partia Demokratike po e degradojnë sistemin demokratik në vend” ka thënë Mustafa.

Mustafa pas takimit ka folur edhe për marrëveshjen me VV-në dhe raportin e Lista Serbe me këtë marrëveshje. Ai thotë se janë konsultuar edhe me këtë koalicion para nënshkrimit të marrëveshjes, me ç’rast ata e kanë konsideruar të favorshme që edhe VV-ja të jetë pjesë e jona.

Mustafa mohon të dijë nëse ka ndodhur diçka që mund t’i ketë ndryshuar qëndrimet e Listës Serbe në raport me këtë marrëveshje.

————————————————

Ka nisur takimi në mes të përfaqësuesve të tri partive pjesë e bllokut LDK-AAK-Nisma. Nuk dihet nëse në këtë takim kanë marr pjesë edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Liderët e bllokut LDK-AAK-Nisma, sapo kanë filluar një takim në Kuvendin e Kosovës. Në takim pritet të diskutohet vendimi për shtyrjen e seancës konstituive nga kryesuesja Flora Brovina, përfaqësuesit të PDK-së dhe përfaqësuesve të subjekteve minoritare.

Përfaqësuesit e LAN pritet të dalin me një qëndrim lidhur me vendimin për shtyrjen e kësaj seance dhe për veprimet që do t’i bëjnë më tutje.

Në këtë takim deri tash nuk dihet a është duke marr pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

Ndryshe, seanca konstituive, e cila ishte paraparë të mbahet sot, është shtyrë për të enjten e ardhshme. Ky vendim erdhi pas kërkesës së Listës serbe, me arsyetimin se i duhet sqarime shtesë lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes në mes LAN dhe VV./Kosovapress/