Shtyhet votimi për PTK’në
Për shkak të mungesës së kuorumit, pika për votimin e raportit të Komisionit Qeveritar për PTK’në është shtyrë për një ditë tjetër.
Lajme
(E Plotësuar)
Për shkak të mungesës së kuorumit, pika për votimin e raportit të Komisionit Qeveritar për PTK’në është shtyrë për një ditë tjetër.
Xhavit Haliti, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se kjo pikë do të diskutohet të hënën në Kryesinë e Kuvendit.
Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar të AAK’së, ka konfirmuar mospjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie në sallë, nëse votohet për këtë pikë të rendit të ditës.
Pa kuorum për PTK’në
Nuk ka kuorum për ta votuar raportin e Komisionit Qeveritar për privatizimin e PTK’së.
Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, ka dhënë një pauzë 30 minutëshe dhe i ka ftuar shefat e grupeve parlamentare që të merren vesh për ta bërë kuorumin.
Në sallë, kanë qenë të pranishëm vetëm 56 deputetë nga 61 sa duhet të ketë për të vazhduar me rendin e ditës.
Para seancës, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se ky grup do t’i përdorë “të gjitha mjetet” për ta parandaluar procesin e privatizimit të kësaj kompanie, përfshirë edhe prishjen e kuorumit.
“Ne konsiderojmë që kjo është e papranueshme dhe do t’i ndërmarrim të gjitha masat e mundshme në mënyrë që ta pengojmë këtë votim sot dhe ta pamundësojmë kuorumin në këtë seancë”.
“Qeveria ka vendos krye në veti ta privatizojë PTK-në, e ka zhvilluar tërë procesin e tenderimit e ka shpallur kompaninë fituese dhe tash ka ardhur me këtë vendim në mënyrë që procesin e jashtëligjshëm të tentojë ta bëjë të ligjshëm”.
LDK bojkoton seancën në Kuvend
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vendosur t’i bojkotojë seancat e sotme në Kuvendin e Kosovës ku është parashikuar të vendoset për shitjen e PTK’së.
Arben Gashi nga LDK ka thënë të enjten se privatizimi i PTK’së, në mënyrën si është bërë, është në dëm të shtetit të Kosovës.
“Grupi Parlamentar i LDK nuk do të marrë pjesë në dy seancat e sotme në mënyrë që të parandalohet mundësia e shitjes së PTK’së”.
“LDK beson se duhet të ketë privatizim, beson në tregun e lirë, por kjo duhet të jetë në funksion të shtetit”.
“Ky privatizim nuk është në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe nuk është ndër praktikat më të mira, nuk është në shërbim të tregut të lirë dhe nuk është në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”.