Shtyhet seanca në rastin ku AKP po kërkon anulimin e vendimit të AKK-së me arsyetimin se është i kundërligjshëm

Ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), përkatësisht Zyra Rajonale në Prishtinë, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Lajme

08/04/2021 15:32

Me të nisur gjykimi, gjykatësja e rastit Vjollca Limani kishte vërejtur se aktvendimi kontestues prek edhe një palë të interesit, për të cilin konsideron se prezenca e tij është e nevojshme dhe se i njëjti nuk ishte ftuar më parë.

Në këto rrethana, seanca u shty për 14 maj 2021, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, prezent në gjykatësi ishte përfaqësuesja e paditëses, Merita Zekaj, përderisa nga pala e paditur nuk prezantoi askush, për çka gjykatësja Limani tha se mungesa nuk është arsyetuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 maj 2018, paditësja AKP kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anuloj vendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) si të kundërligjshëm.

Paditësja konsideron se Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) kishte bërë ndryshimet e titullarit të pronësisë në regjistrin kadastral, për ngastrat kadastrale nr.165/1, ZK Bërnicë e Poshtme dhe ngastrës kadastrale nr.694 ZK Nëntë Jugoviq, duke vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin.

Tutje, thuhet se Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) e kishte aprovuar ankesën me nr.03/909/13 të parashtruar nga Nuhi Musliu, i cili kishte kërkuar rishqyrtimin e vendimit me nr.03/985/14 të lëshuar nga AKK me të cilën ishte refuzua ankesa me nr.03/985/14.

Me padi kërkohet që të aprovohet si e bazuar ankesa e Nuhi Musliut, të shfuqizohen aktvendimet e Drejtorisë për Kadastër, të anulohet aktvendimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, si dhe të obligohet Drejtoria e Kadastrit që të bëjë regjistrimin në bazë të aktvendimit të 2 gushtit 2017, duke zbatuar kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë, të vërtetuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë dhe të konfirmuara nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.