Shtohet kontrolli në kufirin Serbi-Hungari, ulje e fluksit të emigrantëve

Numri i emigrantëve të paligjshëm nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian, ka rënë në dy ditët e fundit, ka thënë Millorad Veloviq, drejtor i policisë së Serbisë.

Lajme

11/02/2015 17:24

Ai është takuar sot me homologun e tij hungarez, Karol Pap, në vendkalimin kufitar Horgosh në mes të Serbisë dhe Hungarisë.

“Kjo rënie nuk është në nivelin e kënaqshëm. Ne kemi angazhuar tashmë xhandarmërinë serbe dhe në këtë zonë do të patrullojnë rreth 50 pjesëtarë të xhandarmerisë”, ka thënë zoti Veloviq, duke paralajmëruar edhe zbarkimin e kolegëve të tyre nga Gjermania, të cilët do të vijnë me pajisje për kontrollin e kufirit, përfshirë këtu edhe kamerat vëzhguese.

Ai tha se në Suboticë ekziston një hotel, të cilin e ka blerë në shtator të vitit të kaluar një “person i kombësisë shqiptare, ku vendosen emigrantët” dhe se në bashkëpunim me inspektoratin e punës, hoteli tash është mbyllur.

Veloviq gjithashtu tha se kjo çështje nuk është problem vetëm i Serbisë dhe Hungarisë, por është një problem më i gjerë dhe i përbashkët, që kërkon sipas tij, “shtimin e masave të kontrollit dhe hetimin e motiveve që kanë çuar deri te ky numër” i kalimeve të paligjshme të kufirit. /Radio Evropa e Lirë/