Shtohen mbështetësit e Thaçit për Çmimin Nobel për Paqe

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se i është mirënjohës Shefit të Delegacionit të PE’së për Europën Juglindore, Eduard Kukan, dhe raportuesit të PE’së për Serbinë, Jelko Kacin që po e mbështetin propozimin për Çmimin Nobel për Paqe.

Lajme

15/02/2014 12:04

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po i gëzohet nominimit të tij për Çmimin Nobel të Paqes.

Ai, këtë gëzim po e shpreh me mirënjohje edhe për ata që po e mbështesin këtë drejt këtij çmimi prestigjioz.

Thaçi në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur se ka mirënjohje për shefin e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan dhe raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin.

Shpreh mirënjohjen time për shefin e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, z. Eduard Kukan si dhe për raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, z. Jelko Kacin të cilët së fundmi kanë mbështetur propozimin e drejtuar ndaj Institutit Nobel për Çmimin e Paqes.

“Duam ta mbështesim nominimin e Baroneshës Catherine Ashton, Kryeministrit Ivica Dacic dhe kryeministrit Hashim Thaçi për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2014 për rolin e tyre krucial në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në letrën e Eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Jelko Kacin.

Letra mbështetëse e Eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Jelko Kacin

 

“Ne besojmë fuqishëm se nominimi i Baroneshës Ashton dhe zotërinjve Dacic e Thaçi nga Kongresitët amerikanë është i arsyeshëm dhe i argumentuar mirë”.

“Rruga përpara e Serbisë dhe Kosovës ka shumë pengesa dhe mbetet e vështirë. Por ne jemi absolutisht të sigurt se disa vjet më pas ne do të mund të jemi në gjendje t’u themi serbëve dhe shqiptarëve por edhe europianëve se ky ishte momenti kur ëshët shtruar themeli i një paqeje të qëndrueshme”.

“Ne mendojmë se duke i dhënë atyre Çmimin Nobel për Paqe, Instituti i Nobelit do t’i nderonte me të drejtë arritjet e tyre, por edhe do të siguronte vazhdimësinë e politikës së pajtimit dhe dialogut”, thuhet në letrën e Eduard Kukan dhe Jelko Kacin.