“Shtetit Islamik” ka humbur kontrollin mbi naftën

“Shtetit Islamik” ka humbur kontrollin e tri fushave të mëdha të naftës në Irak dhe kjo e privon atë nga një burim shumë i rëndësishëm i të ardhurave.

Bota

09/04/2015 12:30

E përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung” raporton se kundërofensiva e forcave irakiane gjatë disa javëve të fundit, ka bërë që Bagdadi të rimarrë tri nga katër fusha të mëdha të naftës, që mbaheshin nga luftëtarët e “Shtetit Islamik”.

Duke u thirrur në shërbimin e inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, BND, gazeta njofton se forcat e “Shtetit Islamik” kanë vetëm pesë për qind të aftësive të nxjerrjes së naftës, krahasuar me më parë, raporton RFE.

“Shteti Islamik” vazhdon të mbajë fushën e naftës Qayara, e cila, sipas BND-së, ka kapacitet prej 2,000 fuçive në ditë, por sipas “Sueddeutsche Zeitung”, është vështirë të mendohet se “Shteti Islamik” mund të shesë më naftë, pasi atë që e prodhon i duhet për nevoja të veta.