Shteti nuk po mund të ekstradojë Leutrim Latifin nga Mali i Zi

21:13 | 20 Prill 2019

Disa herë Policia e Kosovës kërkoi ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tre personave që konsiderohet të jenë shumë të rrezikshëm.

Kastriot Shala, Ridvan Ademi e Leutrim Latfi u ikën duarve të Policisë. Të tre këta dyshohen të jenë akterët kryesorë në një numër të madh të grabitjeve që ndodhën në territorin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Ndonëse në kërkim, ata gjenin kohë edhe të tallen me Policinë e Kosovës përmes disa videove të postuara në Facebook.

Lexo edhe:

Hajnat e kërkuar nga Policia e Kosovës shfaqen ‘live’ në Facebook

E njërit prej tyre nuk i eci gjatë tallja me policinë. Ai u arrestua, mirëpo jo nga organet e drejtësisë kosovare.

Leutrim Latifi u raportua se u arrestua në Mal të Zi nga autoritetet e atjeshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për lajmi.net tregon se arrestimi i Leutrim Latifit ka ndodhur qysh në muajin shkurt të këtij viti.

Megjithëse ai thotë se tani është në kompetencë të autoriteteve për realizimin e ekstradimit, e që është ministria e Drejtësisë.

“I apostrofuari është arrestuar më herët, pra në muajin shkurt të vitit 2019, në një shtet fqinjë dhe mbetet kompetencë e autoriteteve për realizimin e ekstradimit sipas procedurave”, ka thënë Daut Hoxha për lajmi.net.

Mirëpo, ekstradimi i të shumëkërkuarit nuk po del të jetë i lehtë.

Nga ministria e Drejtësisë kanë thënë për lajmi.net, se ata nuk kanë pranuar ndonjë shkresë apo njoftim lidhur me personin në fjalë.

Ata japin vërejtje se procedura e ekstradimit mund të zgjasë më shumë se një vit.

“Lidhur me personin në fjalë, ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjë informacion apo shkresë në ministria e Drejtësisë e Malit të Zi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net.

“Ndërsa lidhur me procedurat e ekstradimit në Mal të Zi, ju lutem vëreni se procedurat e rregullta të ekstradimit mund të zgjasin deri në një vit apo edhe më shumë”, thonë tutje nga ministria e Drejtësisë.

Leutrim Latifi – I dyshuar për disa grabitje në Kosovë

Leutrim Latifi nga organet e drejtësisë dyshohet se ka kryer grabitje të armatosura në disa banka në Kosovë, qendra tregtare e pompa të benzinës.

Ai këto veprime i kishte kryer në bashkëpunim me grupin e tij, teksa më herët Policia e Kosovës kishte ofruar edhe shpërblim për këdo që mund të ofrojë informacione për vendndodhjen e tij, e që mund të çojnë tek arrestimi i të lartpërmendurit. /E.D/Lajmi.net/