Shteti nuk do të paguajë më për plagën e Driton Hajdarit

Shteti nuk do të paguajë më për plagën e Driton Hajdarit që e kishte marrë në një aksion për tentim vrasjen e një personi pas luftës. Ai nuk është pjesë e veteranëve e as e invalidëve të luftës.

Lajme

14/04/2015 07:44

Megjithëkëtë, Hajdari ka përfituar mijëra euro në mënyrë të paligjshme falë statusit të invalidit të luftës, por i plagosur më 3 nëntor 1999 gjatë një aksioni kriminal për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit në Prishtinë.

I dënuari me burgim për krime ordinere si pjesë e grupit të Nazim Bllacës nuk figuron në asnjë listë të veteranëve, invalidëve apo pjesëmarrësve në luftë. Mirëpo, deri tash ai ishte veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Llapit.

Mosdhënia e statusit të veteranit dhe të invalidit në procesin e verifikimit konfirmon se Hajdari ka përfituar nga 3.240 euro në vit në mënyrë të paligjshme. Për gjithë këto vjet buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 30 mijë euro.

Hajdari aktualisht është në burgun e Dubravës duke vuajtur një dënim me shtatë vjet burgim. Në dhjetor të vitit 2012 është gjykuar dhe dënuar së bashku me grupin në rastin “Bllaca 2”. /Koha Ditore/