“Shteti Islamik” do ta mësojë së shpejti se kush është Amerika!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka urdhëruar dërgimin e 350 ushtarëve të tjerë amerikanë në Irak për të mbrojtur diplomatët dhe objektet amerikane nga sulmet terroriste në Bagdad, por ligjvënësit i kanë bërë thirrje presidentit të bëjë veprime konkrete për të mposhtur “Shtetin Islamik”. Por duke komentuar vrasjen e gazetarit Steven Sotloff, Obama ka thënë se “Shteti Islamik” do ta mësojë së shpejti se kush është Amerika.

Bota

03/09/2014 12:07

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se ky vendim është marrë me kërkesë të Departamentit të Shtetit, dhe se forcat shtesë nuk do të kenë rol luftarak, por do të jenë pjesë e angazhimit të presidentit Obama për të ofruar siguri të duhur për personelin amerikan në Bagdad.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në Irak kundër militantëve të organizatës terroriste të quajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Iranit”, të cilët pas ofensivës së qershorit, gjatë së cilës vranë e masakruan mbi 5000 civilë, të krishterë e myslimanë shiitë, shpallën kalifatin e tyre të quajtur “Shteti Islamik”.   

Presidenti Obama ka thënë se sulmet ajrore do të vazhdojnë të mbrojnë interesat amerikane në Irak nga militantët, ndërkohë që ky vendim u mor pasi militantët islamikë i hoqën kokën gazetarit tjetër amerikan Steven Sotloff, si mesazh për të bindur presidentin që të ndryshojë politikën e jashtme amerikane ndaj “Shtetit Islamik”, të shtrirë mbi territoret e pushtuara të Irakut dhe Sirisë.

Në videon që tregon prerjen e kokës së gazetarit Sotloff, është paralajmëruar i njëjti krim mizor edhe ndaj një gazetari tjetër britanik, ndërkohë që dy javë më parë, militantët islamik i hoqën kokën gazetari amerikanë James Foley.   

Duke komentuar vrasjen e gazetarit Sotloff, presidenti amerikan ka thënë se terroristët që mendojnë se do të arrijnë diçka duke vrarë amerikanë të pafajshëm janë të dështuar, dhe se këtë do ta mësojnë së shpejti.

“Ata kanë dështuar për shkak se i urren e gjithë bota. Amerikanët janë të revoltuar me barbarinë e tyre. Por ne nuk frikësohemi prej tyre. Veprimet e tyre të tmerrshme vetëm na bashkojnë dhe thellojnë vendosmërinë tonë. Ata do të mësojnë shpejtë për vendosmërinë tonë dhe drejtësia do të vihet në vend”. 

Në anën tjetër disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje për veprime urgjente nga Shtetet e Bashkuara kundër “Shtetit Islamik”, raporton VOA.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Ed Royce dhe ligjëvënësi demokrat Eliot Engel, kanë thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të drejtojnë një koalicion ndërkombëtar për të mposhtur Shtetin Islamik.

Republikani Royce ka thënë se ISIS ka ekzekutuar me prerje kokash, ka kryqëzuar dhe ka vrarë në mënyra të ndryshme mijëra njerëz të pafajshëm në Irak dhe në Siri, dhe tani është duke përdorur videot në përpjekje për të krijuar një kalifat virtual në internet.

“Ajo që është unike në lidhje me strategjinë e ISIS-it është publikimi i këtij informacioni, mënyrën në të cilën ky grup mburret me kapacitetin e tij për të vrarë dhe për të terrorizuar”, ka thënë Royce, duke kërkuar veprime konkrete që do të cojnë deri te mposhtja e terroristëve të “Shtetit Islamik”.

Edhe ligjvënësi demokrat, Engel, i njohur si një nga lobistët më të mëdhenj të çështjes shqiptare, ka thënë se veprimet e Shteteve të Bashkuara duhet të jenë të koordinuara mirë në luftën kundër këtij grupi militant islamik, që sipas tij është një kërcënim për botën e qytetëruar.

“Tani ISIS kontrollon një pjesë të madhe të territorit në Irak dhe në Siri. Ky është një nga grupet e para terroriste që vërtetë kontrollon një shtet për herë të parë, dhe në qoftë se ne nuk i shkatërrojmë dhe nuk i mundim këta militantë, ata do të sulmojnë vendet në mbarë botën”, ka thënë Engel duke theksuar që tani është koha që presidenti Obama duhet të shkojë në Kongres për të kërkuar më shumë kompetenca për intensifikimin e sulmeve ajrore dhe të luftës kundër “Shtetit Islamik”.

Presidenti Obama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Evropë, gjatë kësaj jave do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Wales, ku përveç situatës në Ukrainë, do të konsultohet me aleatët e Shteteve të Bashkuara për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të krijuar një strategji në luftën kundër Shtetit Islamik.