Shteti i Omanit zotohet për avancim të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën  

Në vazhdën e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, ka zhvilluar të hënën videokonferecën e radhës me homologun e saj të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood AlBusaidi.

Lajme

28/09/2020 13:40

“Kisha një videokonferencë produktive me Ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood AlBusaidi. Me Ministrin AlBusaidi diskutuam për nevojën e thellimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Omanit, vend me të cilin gëzojmë mbështetje konstruktive për proceset ndërkombëtare të Kosovës”, tha Ministrja Haradinaj Stublla, transmeton lajmi.net.

Përkundër se Republika e Kosovës dhe Omani nuk kanë të vendosura ende marrëdhënie diplomatike, kryediplomatja Haradinaj Stublla tha se është dakorduar me homologun e saj për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, në përfaqësimin e interesave të popujve të të dyja vendeve.

Me këtë rast Ministrja Haradinaj-Stublla e ka njoftuar Ministrin AlBusaidi edhe me arritjen e Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin ekonomik, që për Republikën e Kosovës është një hap përpara për garantimin e paqes dhe stabilitetit për rajonin e Ballkanit. /Lajmi.net/