Shtetet e Bashkuara lehtësojnë rregullat për eksportimin e armëve

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka marrë vendim që t’i lehtësojë rregullat për eksportimin e armëve të zjarrit jashtë vendit. Kështu, prodhuesit do të kenë mundësi që brenda disa ditësh të shesin 20 për qind më shumë armë dhe municion.

Bota

18/01/2020 10:43

Ndryshimi që ka qenë në shqyrtim për më shumë se një dekadë do të kalojë zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit te Departamenti i Tregtisë, ku licencat për eksport do të lëshohen shumë më lehtë tash e tutje.

“Departamenti i Tregtisë tash është më mirë i orientuar për kërkesat e licencimit që do t’i zbatojmë”, tha Rich Ashooh, ndihmës-sekretar për tregtinë, gjatë një konference për gazetarë.

Megjithatë, armët e prodhuara me teknologjinë 3D ende duhet t’iu nënshtrohen rregulloreve të vjetra. “Ky kontroll do të sigurojë mbrojtjen e interesave të jashtme dhe sigurisë kombëtare, duke e kontrolluar qasjen e të huajve në teknologjinë e prodhimit të armëve”, thuhet në një dokument zyrtar.

Plani për këtë vendim fillimisht ishte raportuar në vitin 2017 dhe është pjesë e një plani më të gjerë të administratës së presidentit Trump, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.