Të Infektuar: 41.299

Të Shëruar: 26.453

Të Vdekur: 1.062

Shtetet amerikane që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve 2020

14:39 | 24 Tetor 2020

Ndërsa kanë mbetur vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit, presidenti republikan Donald Trump dhe kandidati demokrat Joe Biden po bëjnë fushatë intensivisht në shtetet “fushëbetejë” ose “të lëkundura”, ku po bëhet lufta më e ashpër politike.

Këto shtete janë të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale amerikane, ku fituesi nuk përcaktohet nga vota popullore, por secili shtet ka një numër të caktuar votash elektorale, të cilat i jepen njërit prej kandidatëve ose tjetrit në varësi të rezultatit të votës popullore në atë shtet. Në të gjitha shtetet, me përjashtim të Meinit dhe Nebraskës, kandidati që merr votat më të shumta popoullore në një shtet fiton të gjitha votat elektorale të atij shteti.

Ky sistem zgjedhor sipas të cilit “fituesi merr gjithçka” i nxit kandidatët të bëjnë fushatë më intensive në shtetet konkurruese ku fitorja mund të nënkuptojë shanse më të shumta drejt Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e kontestuara ngushtë që mund të “priren” drejt secilës parti, të tilla si Pensilvania, marrin më shumë vëmendje nga kandidatët sesa shtetet e tjera, të tilla si Kalifornia, ku njëra parti është pothuajse e sigurt që do të marrë shumicën e votave.

Shtetet e lëkundura në zgjedhjet e vitit 2020

Mbi10shtete konsiderohen vazhdimisht të lëkundura sepse kanë pasur vazhdimisht garë të ngushtë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Gjashtë prej tyre shihen si më të rëndësishmet në vitin 2020, sepse popullsia e tyre e madhe u jep më shumë vota elektorale. Ato janë Arizona, Florida, Miçigani, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsin.

Presidenti Trump fitoi në këto gjashtë shtete në 2016 me një diferencë fare të ngushtë, në disa raste më pak se një përqind, por sondazhet aktualisht tregojnë një epërsi të vogël për zotin Biden në të gjashta këto shtete.

Diferenca më e vogël në shtetet e lëkundura sesa në shkallë kombëtare

Fitorja e zotit Trump në vitin 2016 në ato gjashtë shtete ndoqi një model të ngjashëm me atë në pjesën tjetër të vendit – Avantazhet e Partisë Demokrate në qendrat urbane u kompensuan nga votuesit pro- republikanët në qarqet rurale dhe ato periferike dhe nga të bardhë pa arsim universitar.

Pavarësisht nga prirjet që tregojnë se zoti Biden mund të jetë në gjendje të tërheqë një pjesë të këtyre grupeve demografike në vitin 2020, fushata e tij ka paralajmëruar mbështetësit të mos bien në vetëkënaqësi.

“Realiteti është se kjo garë është shumë më e ngushtë sesa ç’sugjerojnë disa ekspertë në Twitter dhe në ekranet e televizioneve”, shkruante menaxherja e fushatës së ish-nënpresidentit Biden, Jen O’Malley Dillon në një email për mbështetësit të shtunën. “Në shtetet kryesore të betejës politike ku do të vendoset fati i këtyre zgjedhjeve, ne mbetemi shumë afër me Donald Trump-in”.

Analistët thonë se ndërsa zoti Biden ka gëzuar një epërsi të qëndrueshme në sondazhe për muaj me radhë, frika kryesore e fushatës së tij tani është se ai mund të fitojë votën popullore, por të humbasë votën e kolegjit elektoral – siç ndodhi me kandidaten demokrate Hillary Clinton në 2016.

Ja ç’po ndodh në shtetet që të dy fushatat i shohin si kritike për të fituar presidencën e vitit 2020.

Uiskonsi

Parulla zgjedhore për demokratin Joe Biden dhe republikanin Donald Trump, në dy shtëpi ngjitur me njëra-tjetrën në Oshkosh të Uiskonsit.

Uiskonsi, ku ka shumë komunitete të bardha rurale dhe punëtorëve që përbëjnë pjesën më të madhe të mbështetësve të zotit Trump, ishte “shteti i kthesës” që matematikisht e nxorri zotin Trumpin në krye në 2016.

Uiskonsi renditet ndër shtetet më të goditura nga pandemia. Ai u bë gjithashtu fokusi i një debati kombëtar mbi drejtësinë racore pasi policia hapi zjarr në gusht ndaj afrikano-amerikanit Jacob Blake në Kenosha, Uiskonsi, gjë që ndodhi mes muajsh protestash dhe trazirash kombëtare.

Zoti Trump dhe zoti Biden e vizituan Kenoshën me mesazhe të ndryshme. Zoti Biden u përqëndrua tek lufta ndaj racizmit sistematik, ndërsa presidenti theksoi mesazhin e tij për rendin dhe ligjin.

Miçigani

Presidenti Donald Trump flet para përkrahësve të tij në Aeroportin Ndërkombëtar MBS në Freeland, Miçigan.

Miçigani, një shtet prodhues, është goditur rëndë nga recesioni i shkaktuar nga pandemia, me më shumë punë dhe biznese të humbura sesa në pjesën më të madhe të vendit. Presidenti ka inkurajuar mbështetësit e tij të fajësojnë guvernatoren demokrate të shtetit, Gretchen Whitmer, për mbylljen ekonomike.

Fushata e zotit Trump po përpiqet të bëjë për vete banorët e këtij shteti, që e shohin axhendën demokrate për mjedisin si të dëmshme për punëtorët që varen nga një bazë e fortë prodhuese. Demokrati Biden po thekson mesazhin se zoti Trump nuk ka “në plan të vërë nën kontroll virusin, as strategji për nxjerrjen e ekonomisë sonë nga ky recesion”. Zoti Biden ka premtuar të investojë në vendet e punës dhe infrastrukturën kritike për shtetin.

Pensilvania

Kandidati demokrat për president, Joe Biden flet në një takim me udhëheqës të sindikatave, në Lankaster të Pensilvanisë

Lindur në Skranton të Pensilvanisë, zoti Biden e ka vënë theksin tek rrënjët e familjes së tij të klasës punëtore për të fituar votuesit e bardhë pa arsim univeristar që i fitoi zoti Trump në vitin 2016, hera e parë që një kandidat republikan fitonte në këtë shtet që nga viti 1988.

Pensilvania në vitin 2020 shihet si më e rëndësishme për Presidentin Trump. Mund të jetë shteti që do t’i japë Joe Bidenit aq vota elektorale sa të sigurojë numrin e nevojshëm prej 270, tha Robert Griffin, drejtor kërkimesh për Grupin e Studimit të Votuesve të Fondit të Demokracisë. “Por mund të mos jetë aq e rëndësishme nëse Pensilvania shkon në një drejtim tjetër, duke pasur parasysh se Joe Biden gjithashtu duket të jetë përpara në shtete si Florida dhe Arizona,” tha ai.

Florida

Votuesit në Tampa, Florida ndjekin në dy ekrane televizive, Presidentin Trump dhe rivalin e tij demokrat Biden, të cilën zhvilluan aktivitete televizive me pyetje-përgjigje në të njëjtën kohë.

Biden aktualisht ka një avantazh të lehtë në Florida – një prej shteteve me numrin më të madh të të moshuarve në vend – me një mesazh që administrimi i keq i koronavirusit ka marrë jetën e shumë të moshuarve, një grup më i prekshëm nga pandemia.

Presidenti Trump e ka drejtuar vëmendjen shpesh tek Florida gjatë gjithë fushatës së tij, duke vizituar shpesh vendpushimin e tij Mar-a-Lago dhe duke rritur regjistrimin e votuesve në shtet si pjesë e një strategjie për t’i bindur amerikanët e bardhë të klasës punëtore që nuk kishin votuar më parë.

“Nëse Joe Biden fiton Floridën, do të jetë shumë e vështirë për Donald Trump-in të mbledhë 270 votat e kolegjit elektoral të nevojshme për të fituar,” tha anketuesi republikan Whit Ayres i “North Star Opinion Research”. Nëse zoti Trump fiton Floridën, tha Ayres, Biden ka ende mënyra të tjera, megjithëse jo aq të sigurta, për të fituar 270 vota elektorale.

Karolina e Veriut

Banorët e Durhamit në Karolinën e Veriut, presin në radhë për të hedhur votën, ditën e parë të votimit të hershëm, më 15 tetor.

Me përjashtim të fitores së Barak Obamës në 2008, kandidatët republikanë kanë fituar nëntë nga 10 zgjedhjet e fundit presidenciale në Karolinën e Veriut. Analistët e shohin këtë si një shenjë të një ndryshimi më të gjerë në demografinë e pjesës jugore të vendit, ku një popullsi gjithnjë e më e larmishme mund të ishte në avantazh të demokratëve.

“Është e vështirë të imagjinohet një rrugë për në Shtëpinë e Bardhë për Donald Trumpin në veçanti, pa siguruar Karolinën e Veriut,” thotë Chris Cooper, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Karolinës Perëndimore.

“Jugu ka qenë një bastion i Partisë Republikane për më shumë se një dekadë dhe, nëse zoti Trump humbet Karolinën e Veriut, shanset janë më të mëdha që ai të humbë edhe Floridën”, shtoi Cooper.

Arizona

Arizona ka votuar për republikanët në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1952, me përjashtim të fitores së Bill Clintonit në 1996.

Shteti aktualisht është i prirur drejt Biden-it, një prirje e nxitur nga rritja e elektoratit demokrat mes votuesve periferikë dhe elektoratit gjithnjë e më të larmishëm të shtetit, veçanërisht numri që po rritet me shpejtësi i votuesve Hispanikë. Ata përbënin afërsisht një ndër pesë votues të Arizonës në 2016, dhe Clinton i fitoi ata me lehtësi në 2016.

Të moshuarit do të luajnë një rol të madh në rezultatin e zgjedhjeve këtë vit. Në këtë shtet ka shumë komunitete pensionistësh dhe votuesit e tij janë mesatarist më të moshuar se pjesa tjetër e vendit./VOA