Shtëpitë e mira të politikanëve dhe pagat e tyre

Ambasadori Britanik, Ian Cliff, thotë se institucionet e Kosovës nuk janë ende të gatshme të merren me krimet e luftës. Ambasadori Cliff flet edhe për shtëpitë e mira të politikanëve, makinat e tyre të shtrenjta që s'përputhen me të ardhurat e tyre.

Lajme

03/01/2014 08:51

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, në intervistën për ‘Koha Ditore’ ka thënë se EULEX’i duhet të qëndrojë në Kosovë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk janë ende të gatshme të merren me krimet e luftës.

“Nuk mendoj se institucionet e Kosovës janë të gatshme që të merren me krimet e luftës. Unë e di se krimet janë jashtëzakonisht të ndjeshme”.

“Mendoj se është e nevojshme që të trajtohen krimet e luftës dhe kjo kërkon rolin e EULEX’it’.

“Ka ende punë për t’u bërë në forcimin e institucioneve vendëse, sepse janë disa raste serioze për të cilat është e nevojshme të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX’it”.

Ndërkohë në një intervistë tjetër për Kosova Sot Cliff ka thënë se shteti i së drejtës, sfida më e madhe për Kosovën.

“Mendoj se shumë nga problemet, për të cilat ju po flisni, lidhen me përshtypjen që shumë politikanë, shërbyes civilë dhe të tjerë, po jetojnë përtej këtyre mjeteve, po jetojnë në shtëpi të mira dhe me makina të mira, të cilat nuk mund të paguhen nga pagat e tyre dhe nuk dihet prej nga i vjelin këto para”.

“Nganjëherë nuk dihet nëse vijnë nga burime legjitime dhe mendoj që të gjitha këto mund të varen nga një vendim i gjykatës”.