Shtëpitë amerikane “pushtohen” nga mijëra pako me fara kineze, autoritetet paralajmërojnë: Mos i hapni

Mijëra amerikanëve, nga Nju Jorku në Los Angeles, nga Teksasi në Florida, prej disa javësh po i vinë në shtëpi ose në zyre pako që deklarojnë në ambalazhimin e tyre pajisje nga më të ndryshmet, por që kanë të gjitha një përmbajtje. Bëhet fjalë për një qese me fara, ende të paidentifikuara.

Bota

06/08/2020 08:05

Ndoshta lajmi nuk do të merrte një rëndësi të veçantë në qoftë se të gjitha pakot nuk do të kishin një prejardhje të përbashkët, Kinën.

Origjina aziatike ka vënë disi në alarm autoritetet amerikane, që duan të shohin qartë në këtë mister, i cili fillimisht u kategorizua thjesht si një shaka.

Por pako të ngjashme kanë filluar të dërgohen në të gjitha 50 shtetet amerikane, me kosto të mëdha për dërguesin anonim, dhe sipas Ministrisë së Bujqësisë amerikane gjasat janë që dërgesat të bëjnë pjesë në një skeme mashtrimi ku pakove i bëhet më pas një vlerësim fiktiv nga shitësi, për të përshpejtuar shitjet reale.

 

 

Gjithsesi, prejardhja kineze ka detyruar autoritetet në Uashington dhe në shtetet federale të paralajmërojnë marrësit që mos hapin në asnjë mënyrë qeset me fara, dhe as të tentojnë t’i mbjellin, sepse jo vetëm mund të shkatërrojnë biodiversitetin e zonës, por mund të jenë edhe potencialisht toksikë.

Sidoqoftë, si shpesh herë në këto raste, sidomos kur përfshihet Kina, ka filluar një far psikoze në SHBA, dhe rreth 500 sinjalizime pakosh janë regjistruar vetëm në qytetin e Nju Jorkut, 600 në shtetin e Floridës dhe qindra të tjera në qytetet amerikane, në pritje të analizave më të thelluara që do të zbulojnë misterin.