Shtëpia e Kënaqësisë së Fortë
Partia e Fortë befason sërish me projektin e tyre ambicioz. Nëse i fitojnë zgjedhjet në Prishtinë, ata planifikojnë të ndërtojnë një Rezidencë për Kryetarin Lexhendar, në Qendër të Kryeqytetit. Të gjithë do të kënaqen.
Lajme
Nëse Partia e Fortë fiton qeverisjen e Prishtinës, qytetarët do të kenë mundësi që të kënaqën duke e parë kënaqësinë e Kryetarit Lexhendar në Rezidencën e tij Transparente.
Rezidenca e tij e stilit neo-klasik nuk do të ndërtohet as në “Gërmi” dhe as në “Hajvali”, por në qendër të Prishtinës, në vendin ku gjendet “Newborn”.
Rezidenca Transparente e Kryetarit (RTK) që pritet t’i ngjajë Shtëpisë së Bardhë në Washington, sipas Kryetarit Visar Arifaj, do të jetë e hapur për të gjithë publikun, që ndryshe ai e quajti edhe si “Shtëpi Publike”.
“Aktivitetet dëfryese në këtë shtëpi janë të hapura për t’u parë nga qytetarët. Andaj, kjo shtëpi nuk është vetëm imja. Ajo është e të gjithëve. Pra, kjo është një Shtëpi Publike”, ka thënë Arifaj, të hënën.
Kryetari Lexhendar ka bërë të ditur se Rezidenca do të fillojë të ndërtohet menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, më 4 nëntor.
Nënkryetarja Abetare Gashi, njëherësh edhe projektuesja e kësaj Shtëpie Luksoze që kap koston prej 23,025,100 eurosh, tha se kjo Rezidencë është dhuratë vetëm për Kryetarin e tyre.
“Projekti do të jetë investim i Komunës së Prishtinës dhe do të jetë një dhuratë për Kryetarin. Brenda kompleksit rezidencial përfshihen pishina, fusha sportive, por edhe ulëse për qytetarët, duke mundësuar kështu që të gjithë ta shohin Kryetarin tonë duke u dëfryer”.