Shtëpia e Bardhë dënon video parodinë e dhunshme

Shtëpia e Bardhë tha se të hënën se Presidenti Donald Trump nuk e ka parë ende, por e “dënon me forcë” një video parodi me imazhe grafike të dhunshme ku një personazh multiplikativ që i ngjan zotit Trump shfaqet duke qëlluar e goditur me thikë kundërshtarët e tij dhe përfaqësues të medias televizive.

Bota

14/10/2019 20:20

Parodia u shfaq gjatë një takimi të mbështetësve të zotit Trump në rezidencën e tij turistike në Majemi.

Gazetarët që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë i bënë thirrje zotit Trump ta dënojë videon, në të cilën kritikët e tij dhe përfaqësuesit e medias portretizohen si anëtarë të një famullie që largohen nga kisha për t’i shpëtuar tërbimit të tij. Personazhi multiplikativ që i ngjan presidentit godet në qafë senatorin e ndjerë John McCain, godet me thikë në fytyrë personalitetin televiziv Rosie O’Donnell, i vë flakën senatorit Bernie Sanders si dhe gjuan personazhe të tjerë, fytyrat e të cilëve janë zëvendësuar me logot e disa organizatave mediatike.

Nën shënjestër janë dhe ish-presidenti Barack Obama, përfaqësuesit e organizatës Black Lives Matters, ligjvënësja demokrate Maxine Waters, Bill dhe Hillary Clinton si dhe ligjvënësi Adam Schiff, i cili në cilësinë e kryetarit të komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve po udhëheq hetimin për shkarkimin e presidentit Trump.

Në një postim në twitter sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë Stephanie Grisham tha se presidenti Trump do ta shohë videon së shpejti dhe se “bazuar në gjithçka që ka dëgjuar, ai e dënon atë me forcë atë”.

Ishte gazeta “New York Times” e cila raportoi e para rreth videos.

“Një video e paautorizuar u shfaq javën e kaluar në një nga dhomat anësore të konferencës mbi Përparësitë Amerikane në rezortin e zotit Trump në Doral Miami”, tha organizatori i ngjarjes Alex Phillips në një deklaratë.

Ai tha se zoti Trump nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje. Sipas tij kjo video nuk është miratuar apo parë nga organizatorët e takimit.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e cila përfaqëson gazetarët që mbulojnë presidentin, në një deklaratë të dielën vonë në mbrëmje shkruante se ishte “tmerruar” nga përmbajtja e videos.

“Të gjithë amerikanët duhet ta dënojnë këtë shfaqje dhune drejtuar gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë të Presidentit”, tha Jonathan Karl, presidenti i shoqatës.

“Ne i kemi thënë më parë Presidentit se retorika e tij mund të nxisë dhunë. Tani ne i bëjmë thirrje atij dhe të gjithëve të lidhur me këtë konferencë ta denoncojnë këtë video dhe të pohojnë se dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë”, shtoi ai.

Videoja përmban logon e fushatës së zotit Trump për garën presidenciale të 2020-s, por zëdhënësi i fushatës Tim Murtaugh, i tha gazetës New York Times se “videoja nuk është prodhuar nga fushata dhe se ne nuk e tolerojmë dhunën”.

Si vendngjarje për atë që në video shfaqet si masakër është ajo që quhet “kisha e lajmeve të rreme”, duke iu referuar refrenit të njohur të zotit Trump në lidhje me me organizatat mediatike dhe lajmet që ai i gjykon si të pavërteta.

CNN, Washington Post, BBC, PBS, NBC dhe Politico janë ndër organizatat e lajmeve që përshkruhen si viktima të tërbimit të personazhit multiplikativ që ngjan me presidentin Trump. /VoA