Shtatë futbollistë të Kosta Rikës në anti-doping
Pas përfundimit të fitores kundër Italisë, FIFA ka ftuar shtatë futbollistë të Kosta Rikës për teste anti-doping, edhe pse zakonisht ftohen nga dy lojtarë të secilës skuadër.
Sport
FIFA ka shkaktuar një bujë të madhe duke ftuar shtatë futbollistë të Kosta Rikës për teste anti-doping, pas fitores ndaj Italisë, me rezultat 1:0, që ua siguroi kualifikimin e mëtutjeshëm nga Grupi D i Kampionatit botëror.
Urena, Bolanos, Navas, Calbo, Gonzalez, Barrentes dhe realizatori i golit të fitores ndaj Azzurrëve, Ruiz, janë ftuar për të dhënë mostrat e tyre. Vendimi është mjaft i pazakonshëm duke konsideruar faktin se zakonisht ftohen nga dy futbollistë prej secilit ekipit.
Dhe, kjo ka krijuar shumë dyshime rreth skuadrës së Kosta Rikës që ka befasuar deri më tani gjatë këtij Kampionati botëror duke mposhtur Uruguain në ndeshjen e parë me rezultat 3:1, e më pas edhe Italinë 1:0, duke u kualifikuar tutje nga Grupi D, pavarësisht ndeshjes së fundit me Anglinë, tashmë të eliminuar.
FIFA ka theksuar se vetëm dy futbollistë të Kosta Rikës kanë bërë testet anti-doping ndërsa të tjerët i janë nënshtruar kontrollimeve të tjera që nuk i kanë bërë para fillimit të Botërorit.