SHSKUK “mbijeton” me mbi 300 ushtrues detyre të emëruar jashtë afateve ligjore
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për vitin 2025. ZKA thekson në raport se në kuadër të institucioneve të SHSKUK-së , janë identifikuar qindra pozita të mbuluara me ushtrues detyre (UD) në kundërshtim me afatet e përcaktuara me ligj, duke ngritur shqetësime…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për vitin 2025.
ZKA thekson në raport se në kuadër të institucioneve të SHSKUK-së , janë identifikuar qindra pozita të mbuluara me ushtrues detyre (UD) në kundërshtim me afatet e përcaktuara me ligj, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave ligjore dhe funksionimin e strukturave drejtuese, transmeton Klankosova.tv.
Të dhënat tregojnë se në programe të ndryshme të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës janë identifikuar nëntë pozita të nivelit drejtues të mbuluara me vendime të ushtruesve të detyrës që nuk janë në përputhje me afatet ligjore. Për këto pozita, vendimet e emërimit datojnë nga viti 2010 deri në vitin 2023.
“Nga zyrtarët përgjegjës është konfirmuar që pozita të mbuluara me UD të cilat nuk ishin në përputhje me dispozitat ligjore ishin gjithsej 337”, theksohet më tej në raport, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë, ZKA rekomandon që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së të harmonizojnë të gjitha vendimet për ushtrues detyre me dispozitat aktuale ligjore dhe të sigurojnë zhvillimin e procedurave të rregullta të rekrutimit brenda një afati të arsyeshëm, me qëllim të plotësimit të pozitave përmes konkurseve dhe në përputhje me kërkesat e ligjit.
Ndikimi
Mbulimi i pozitave të nivelit drejtues me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se periudha e lejuar krijon pasiguri në vendimmarrje dhe në përgjegjësitë e funksioneve kyçe.
Rekomandimi A3
Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të përshtat vendimet për ushtrues detyre në përpurthje me dispozitat aktuale ligjore, si dhe të sigurojë që brenda një afati të arsyeshëm të zhvillojë procedurat e rekrutimit në përputhje me kërkesat ligjore për plotësimin e pozitave që mbahen me ushtrues detyre.
