Shqiptaro-amerikani Bix Aliu, zv/ambasador i SHBA-ve në Malin e Zi

B. Bix Aliu është i pari dhe i vetmi deri tani që emërohet në detyrën më të lart në diplomacinë e Shteteve të Bashkuara. Ai mori mandatin si zëvendës i shefit të misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Podgoricë të Republikës së Malit të Zi.

Lajme

10/09/2014 19:06

Ai është i lindur dhe rritur në Çikago, Illinois. Prindërit e tij janë shqiptarë nga Zajazi i Kërçovës, familje që emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1960, njofton Alsat-M.

B. Bix Aliu arriti në Mal të Zi në fund të muajit gusht 2014, për të shërbyer si zëvendësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-ve.

Aliu e filloi karrierën e tij të shërbimit të Jashtëm në Shkup, ku shërbeu si zëvendës i shefit të Punëve Publike dhe më vonë si ndihmës special i Ambasadorit. Gjatë kësaj kohe, Bix ishte i përfshirë në Marrëveshjet e Paqes të Rambujesë, si anëtar i të dërguarit të posaçëm amerikan në delegacionin e Kosovës dhe më vonë ka punuar me të dërguarit specialë të SHBA-ve gjatë krizës në Maqedoni.

Aliu gjatë karrierës së tij diplomatike ka shërbyer edhe si zëvendës konsull dhe zyrtar i Punëve Publike në Dubai të EBA, si zëvendës atashe kulturor në Varshavë, por edhe si zyrtar i çështjeve publike në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.

Është laureat i çmimeve të shumta nga Departamenti i Shtetit, duke përfshirë gjashtë çmimet e nderit “Awards Superior” dhe gjashtë çmimet nderi “Merituar Awards”.

Në vitin 2008, komuniteti shqiptaro-amerikan i Çikagos e zgjodhi Bix Aliun për “Person Viti”, kurse në vitin 2014 u zgjodh një nga 150 shqiptaro – amerikanët më të suksesshëm në mesin e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.

Bix ka diplomuar në Fakultetine  Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe ka një diplomë dhe master të Akademisë së Studimeve Strategjik nga Kolegji i Luftës të Ushtrisë amerikane.

Ai flet shumë mirë dhe rjedhshëm gjuhën shqipe, atë malazeze, maqedonase, serbe dhe polake. Bix dhe gruaja e tij, Dr. Nora Zajazi, kanë dy fëmijë, vajzën Tean dhe djalin Bledin.