Shqiptaro-amerikanët në protestë kundër liderit malazez

Demonstrata për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi ka zgjuar interesim të madh tek shqiptarët e Amerikës. Ata kërkojnë që Malit të Zi t’i pamundësohet integrimi në strukturat euroatlantike derisa të mos njeh statusin e shqiptarëve autokton në këtë shtet.

Lajme

08/04/2014 09:07

Qindra veta kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe janë nisur drejt Washington DC ku do të mbahet takimi mes kryeministrit malazez, Milo Djukanovic dhe nënpresidentit amerikan, Joe Biden.

Të pa kënaqur me shtypjen që po u bëhet shqiptarëve në trojet etnike nën Mal të Zi ku mungojnë të drejtat elementare, do të demonstrohet para Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, nga ku do të kërkohet të mos i jepet përkrahje Malit të Zi për integrim në strukturat euroatlantike.

Shumica e shqiptarëve të Amerikës janë me prejardhje nga trojet etnike në Mal të Zi, të cilët kanë rënë pre e spastrimit etnik që qeveritë serbo-malazeze kanë bërë për dekada me radhë.

“Djukanovic po luan lojën e dyfishtë në njërën anë po krijon miqësi personale me liderët politik në pozitë dhe opozitë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, derisa në të njëjtën kohë po vazhdon shtypjen e shqiptarëve në trojet etnike në Mal të Zi”.

Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni dhe jep shenjë se Mali i Zi do të kundërshtohet me çdo mjet për shkak të politikës diskriminuese që po ushtron mbi shqiptarët.