Shqiptari e qëllon me pistoletë, rusi vdes me cigare në dorë (Foto)

Një 20-vjeçar i lindur në Rusi, Andrey Goncharov është vrarë në një apartament në Farenza, afër qytetit Ravenna. I dyshuarit për vrasjen, një 22-vjeçar shqiptar, Martin Gjeloshi është dorëzuar vetë në polici pak pasi karabinierët kishin shkuar në shtëpinë e tij.

Lajme

14/08/2015 21:11

Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e 20-vjeçarit, i cili është qëlluar me një plumb të vetëm në tëmth nga një distancë vetëm pak centimetra duke e lënë të vdekur me cigare në dorë. Arma e krimit një pistoletë “Beretta” 7.65 u gjet në banesë. Pistoleta ishte vjedhur pak orë më parë në Imola.

Ngjarja

Vrasja ka ndodhur në apartamentin e një të riu boshnjak, i cili ishte i vetëm në shtëpi pasi prindërit e tij janë me pushime. I riu me origjinë nga Bosnja kishte ftuar rusin, Gjeloshin dhe dy shqiptarë të tjerë për të luajtur basketboll. Boshnjaku pasi u ka hapur derën e shtëpisë ka kërkuar që ta prisnin deri sa të përfundonte lojën që kishte nisur në PlayStation. /shqiptarja

(Në foto: Vendi ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit rus)

Sipas dëshmive të të pranishmëve, ngjarja ka qenë spontane dhe fatale. Dëshmitarët kanë thënë në polici se Gjeloshi ia ka drejtuar armën 20-vjeçarit me idenë se ajo ishte pa plumb dhe pa pritur ka qëlluar.

Vrasja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:45, ku fillimisht u dyshuar për një vetëvrasje. Të rinjtë kishin postuar dhe në Facebook një selfie ku shfaqen duke pirë birra dhe cigare vetëm 30 minuta para ngjarjes.