Shqiptarët në Maqedoni “pasurohen” me parti të re, e 17-ta me radhë!

Skenës politike në Maqedoni do t’i shtohet një parti e re shqiptare, duke e çuar numrin e tyre në total 17. 

Lajme

22/10/2014 18:14

Partia më e re do të quhet “Besa”, e cila do të zyrtarizohet gjatë muajit nëntor. Një ndër themeluesit e saj, Afrim Gashi, tha për agjencinë e lajmeve Ina se kjo do të jetë një alternativë e re në Maqedoni për të gjitha komunitetet në vend.

“Ne vlerësojmë se shteti ynë është asimetrik dhe realiteti shoqëror nuk përputhet me realitetin juridiko-politik. Në Maqedoni ka dy popuj dhe të tjerët janë komunitete më të vogla etnike, por shteti, përveç maqedonasve, të gjithë të tjerët i trajton si pakica. Ne vlerësojmë se shteti duhet të ketë një trajtim të barabartë ndaj të gjithëve në Maqedoni dhe të mos udhëhiqet nga parimi ‘pronari dhe qiraxhiu”, u shpreh Gashi.

Për realizimin e këtij projekti, Gashi tha se do të ketë bashkëpunimin edhe të partive politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndonëse përbëjnë rreth 35% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni, shqiptarët numërojnë plotë 17 parti politike. Sipas analistëve, kjo dëshmon mungesën e një alternative të vërtetë që do të bashkonte shqiptarët.

Shtimi i forcave të reja politike nuk bën gjë tjetër veçse rrit më tepër ndasitë mes shqiptarëve.