Shqiptarët i mbajnë paret “nën jastëk”

Shqipëria është vendi me informalitetin më të lartë të kursimeve të individëve.

Lajme

08/12/2016 10:42

Nga një studim i Bankës Botërore për “Rreziqet dhe fitimet nga menaxhimi i financave personale në 10 vende të Europës Qendrore dhe Ballkanit”, shihet se rreth 47 për qind e  popullsisë janë të prirur t’i mbajnë kursimet e tyre jashtë institucioneve zyrtare të licencuara për të administruar kursimet e tyre, si bankat, institucionet financiare,fondet e investimit dhe fondet e pensioneve. Të dhënat i referohen një kërkimi të bërë në vitin 2012-2013.

Preferenca për të mbajtur kursimet jashtë institucioneve të ligjshme arsyetohet me kulturën e dobët financiare. Në vendet të tilla si Hungaria kultura financiare karakterizon mbi rreth 70 % e popullsisë së rritur, ndërsa në ekstremin tjetër qëndron Shqipëria ku shihet se vetëm 14 % kanë njohuri financiare.

Në Evropën Qendrore përqindja e individëve që preferojnë të ruajnë kursimet në informalitet është rreth 25 %, përveç Çekisë që e ka këtë tregues shumë të lartë mbi 60%. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor kjo përqindje është shumë më e lartë

Ekspertët e Bankës Botërore shpjegojnë se përqindja e lartë e kursimeve informale mund të nënkuptojë se aksesi i qytetarëve në Banka është i ulët. Por në Shqipëri dhe Maqedoni ky arsyetim nuk qëndron pasi në këto vende numri i qytetarëve që kanë llogari në banka është i lartë, por gjithashtu numri i atyre që duan ti menaxhojnë kursimet në informalitet është i lartë.

Kjo vjen edhe për shkak të hapësirave të kufizuara për diversifikimin e kursimeve.

Republika Çeke ka nivelin më të lartë të diversifikimit ndërsa Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania dhe Serbia janë dukshëm nën mesataren.

Si në shumë ekonomi në tranzicion, pjesa e depozitave të kursimit në valutë të huaj është e lartë.

Mesatarisht, 42 për qind e depozitave të kursimit dhe 45 për qind e parave të gatshme janë në monedhë të huaj. Në Serbi, kursimet në valutë janë 90 për qind. Pjesa e depozitave në valutë është rritur fuqishëm në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor gjatë krizës nga 1990 dhe ka mbetur e lartë edhe në vitet në vijim./monitor.al/