Shqiptarët kanë shtete të dobëta

Albin  Kurti ka thënë se shqiptarët janë kombi më i rëndësishëm në Ballkan, por se ata kanë “shtetet më të dobëta”. Këto deklarata ai i bëri në Konferencën e Ambasadorëve që po mbahet në Shqipëri.

Lajme

06/07/2014 16:43

Në konferencën e Ambasadorëve me temë “Shqipëria në rajon, nga periferi në qendër”, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ndal tek roli i Shqipërisë në rajon.

Ai tha se  politika e jashtme e Shqipërisë duhet të lidhet ngushtë me shqiptarët në rajon, duke iu referuar edhe zhvillime të dy ditëve të fundit në Maqedoni.

Sipas Kurtit, “shqiptarët janë kombi më i rëndësishëm në Ballkan, por kemi shtete të dobëta”.

“Shqiptarët janë kombi më i rëndësishëm në Ballkan, por kemi shtete të dobëta në krahasim me vendet e tjera. Shqiptarët kanë shtete me ushtri, arsim dhe ekonomi të dobët. Politika e jashtme e Shqipërisë të lidhet ngushtë me shqiptarët në rajon”, tha Kurti, raporton Koha.net

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi vuri theksin tek bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës, për të rritur ndikimin e dy shteteve shqiptare në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, edhe Shqipëria edhe Kosova kanë çfarë përfitojnë nga njëra-tjetra.

“Ajo që vuajnë marrëdhëniet dypalëshe duhet të jetë pjesëmarrja e nivelit të mesëm në dialogun mes tyre. Resurset e prodhimit të qumështit janë fantastike, në Kosovë vetëm 40% e qumështit është kosovar, po të kemi bashkërendim ne mund të bëhemi një faktor dhe të arrimë 80 apo 90% të prodhimit të tij”, u shpreh Minxhozi.