Shqipet, përgatitje intensive para ndeshjes me Italinë (Foto)

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka bërë dy stërvitje të plota në Milano, para ndeshjes kundër Italisë që është një miqësore, mirëpo shumë e rëndësishme për moralin dhe karakterin tonë.

Sport

17/11/2014 15:20

Ky ballafaqim, që pati jo pak probleme me tifoizët kroatë, të cilët i “vunë zjarrin” stadiumit dhe hodhën flakadanë në fushën e blertë, duke e detyruar kryesorin holandez Kuipers ta ndërpresë dy herë lojën, ka rikthyer sadopak në memorien e kuqezinjve atë që ndodhi më 14 tetor në Beograd. 

Kuptohet, jo në ato përmasa, sepse në Milano policia ishte në lartësinë e duhur, i zboi tifozët problematikë, ndërsa tifozët vendas ishin krejt normalë dhe as tentuan të hyjnë në fushën e lojës për të goditur lojtarët kundërshtarë. 

Një shembull, kjo ndeshje, se si duhet vepruar kur ka probleme në futboll, një antitezë e plotë me cka ngjau në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Ndërkohë, ekipi ynë kombëtar është duke qëndruar në Milano që prej të shtunës në darkë, ku zbarkoi nga Rëne pas shumë peripecish nga moti i keq. Kuqezinjtë janë akomoduar në hotel “Barcelo”, në Milano. 

Në orën 17:00 të së dielës, kombëtarja zhvilloi një seancë stërvitore në një mjedis të mbyllur, sikurse duket edhe në fotot që shoqërojë këtë shkrim, e cila ishte e para në Itali. 

Të hënën zhvillohet seanca e dytë stërvitore në orën 10:30, po në Milano. Pas përfundimit të saj, rreth orës 17:30 bëhet edhe nisja për në Gjenova, ku do të luhet miqësorja me axurrët, të martën në orën 20:45./Panorama Sport/