Shqipërinë e “ndal” vetëm moti i keq

Moti i keq që ka prekur Italinë ia komplikoi Kombëtares shqiptare udhëtimin për në Genova, ku më 18 nëntor do të zhvillojnë miqësoren e radhës kundër Azzurrëve.

Sport

15/11/2014 12:25

Moti i keq që ka përfshirë Italinë kushtëzon programin e kombëtares shqiptare pas ndeshjes me Francën. Moti i keq që ka përfshirë Italinë, ka komplikuar udhëtimin e kuqezinjve drejt Genovas, ku do të luhet edhe miqësorja e radhës me Italinë, raporton “Supersport”.

Kombëtarja shqiptare pritej të nisej drejt Italisë në orën 11:00 nga aeroporti i Rennes, por aty kuqezinjtë janë informuar se për shkak të furtunës në Genova ka qenë e pamundur ulja e avionit në aeroportin e qytetit ku do të luhet takimi i 18 Nëntorit.

Në këtë mënyrë pas disa minuta pritjeje kuqezinjtë janë detyruar të bëjnë një kthim të paparashikuar në hotelin e Rennes për tu qetësuar në pritje të një riprogramimi të udhëtimit drejt Italisë.

Opsionet e parashtruara fillimisht kanë qenë dy, i pari që skuadra të nisej për në Nicë pasdite dhe prej aty të udhëtonte me autobus drejt Genoas ndërsa alternativa e dytë ishte qëndrimi në hotel deri në darkë në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike në Genoa.

Gjithsesi pas informacioneve të fundit të parashikimit meteorologjik kuqezinjtë kanë mësuar se nisja drejt Gjenovës do të mund të realizohet më avion në orët e pasdites, opsion që gjithsesi mbetet i kushtëzuar nga ndonjë tjetër kapricio e paparashikuar e motit në Itali.