Shqipëria zyrtarizon miqësoren

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi miqësoren me Austrinë, më 26 mars.

Sport

03/02/2016 12:47

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi miqësoren me Austrinë në muajin mars. Ndeshja ndërmjet dy pjesëmarrësve të Euro 2016 do të luhet në stadiumin Ernst Happel të Vjenës, në datën 26.

Federatat e dy vendeve i mbyllën me suskes negociatat ditë më parë, ndërsa bashkarisht vendosën që zyrtarizimi për ndeshjen të jepej në sinkron paraditen e së mërkurës.

Sfida përballë ekipit që në evenimentin në Francë ndodhet në Grupin F, me rivalë si Portugalia, Hungaria dhe Islanda, do të luhet në kryeqytetin austriak në orën 17:30. Testi cilësohet tejet i rëndësishëm për kuqezinjtë, për të përballuar me sukses sfidat në Grupin A të Kampionatit Europian. Austria është një skuadër me karakteristika të përafërta me Zvicrën, për nga stili i lojës por edhe për kualitetin e madh që zotëron.

Ylli i ekipit është David Alaba i Bayern Munchen, që me Kombëtaren luan si mesfushor, ndërsa sulmuesi më i rëndësishëm është veterani i Baselit, Marc Janko. Austria nuk është zgjedhur rastësisht. Si një kundërshtar që strategjinë e lojës e bazon te lëvizja e vazhdueshme në fushë dhe presingu shumë i lartë, ata janë kundërshtari ideal për të kuptuar se çfarë i nevojitet Shqipërisë përballë një favoriti si Zvicra.

Përfaqësuesja austriake i mbylli kualifikueset në vendin e parë të Grupit G, me 28 pikë, duke lënë pas Rusinë e Suedinë, ku koleksionoi një barazim dhe 9 fitore radhazi. Kjo do të jetë përballja e shtatë historike e Shqipërisë me Austrinë. Në gjashtë ndeshjet e mëparshme, të luajtura të gjitha në vitet ’80, kuqezinjtë kanë dalë gjithmonë të humbur nga fusha, ku kanë pësuar 13 gola në total, duke shënuar vetëm një herë.