Shqipëria zgjidhet anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së

Shqipëria u zgjodh të martën për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut  me 176 vota për, në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky këshill është një organ ndër-qeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë. 

Lajme

21/10/2014 19:21

Pranimi i Shqipërisë në këtë këshill të OKB-së bëhet i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme, sipas së cilës “zgjedhja e Shqipërisë në KDNJ përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e saj të përhershëm në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet”.

“Shqipëria vlerëson se KDNJ ia ka dalë të ndërtojë një platformë vitale për çështjet tematike të të drejtave të njeriut kudo në botë, ku vendet anëtare kanë mundësinë për të diskutuar për to dhe për të marrë veprime konkrete për adresimin adekuat të tyre”, thuhet pos tjerash në njoftim.

Anëtarësimi në këtë këshill është me mandat trevjeçar.