Shqipëria xhelozon Kombëtaren tonë
Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, uron Kosovën për miqësoret e futbollit. 'Jemi paksa xhelozë, sepse mund të na dobësohet Përfaqësuesja e jonë, por është e rëndësishme fundi-fundit që të energjizohet hapësira shqiptare edhe n'futboll',u shpreh ai.
Sport
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, e ka uruar Kosovën për fillimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, pas lejes që e mori nga FIFA.
Pas një takimi me homologun e tij nga Kosova, Enver Hoxhaj, Bushati ka gjetur kohë të flasë pak edhe për sportin, duke shpresuar që bashkëpunimi në mes të të dyja vendeve të jetë aktiv edhe në sport, ndërsa nuk e fshehu xhelozinë e shëndoshë, për faktin se Kosova mund t’i marrë futbollistët më të mirë të Kombëtares shqiptare, që kanë prejardhje nga vendi ynë.
\”Urime Kosovës, urime Fadil Vokrrit. Më kujtohet kur isha fëmijë, kur na bëri të ngriheshim shumë lartë me golat e tij, me spektaklin që ai ofronte”, deklaroi fillimisht Bushati.
\”Jemi paksa xhelozë, sepse mund të na dobësohet Përfaqësuesja e jonë, por është e rëndësishme fundi-fundit që të energjizohet hapësira shqiptare edhe në futboll\”
“Shpresoj që ndeshja juaj që pati edhe një mbulim shumë të gjerë ndërkombëtar, duke filluar me CNN’in dhe me rrjetet më prestigjioze ndërkombëtare, të na ndihmojë edhe ne për të pasur më shumë shkëmbime në fushën e sportit”, përfundoi ai.
Kosova e zhvilloi miqësoren e parë dhe historike ndaj Haitit më 5 mars në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.