Shqipëria, vend ku Evropa mund të bjerë në sevda, thotë Edi Rama

Ndryshe nga sa u shpreh pak ditë më parë lidhur me organizimin e një feste modeste për statusin Edi Rama, ceremonia e mbrëmjes të së shtunës u shndërrua në një festë të gjatë dhe madhështore.

Lajme

29/06/2014 12:46

Dhjetëra të ftuar, mes tyre personalitete nga të gjitha fushat, qëndruan për rreth 3 orë në ambientet e Pallatit të Brigadave për të festuar marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, raporton KosovaPress.

Fjalën e tij para Rama e nisi me një urim për besimtarët myslimanë që nisën këtë të shtunë muajin e shenjtë të Ramazanit, e duke u ndalur tek feja, kryeministri tha se ndryshe nga ç’është perceptuar në Evropë dhe arenën ndërkombëtare, Shqipëria nuk është një vend mysliman ‘gogol’, por një vend evropian ku jetojnë në paqe myslimanë e të krishterë, dhe se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shumë më tepër respekt, larg paragjykimeve të deritanishme si një vend ku mbizotëron krimi dhe pasiguria. Ai theksoi se shqiptarët e meritonin statusin dhe se mbeten një nga popujt që kanë dhënë kontributin më të madh për paqe në Ballkan dhe më gjerë.

“E di jo për të gjithë mund të tingëllojë e përshtatshme që fjala ime të nisë me urimin për Ramazanin, por Shqiëpria jo pak ka vuajtur etiketimin si një vend mysliman, por ky yni nuk është një vend thjesht mysliman, por një vend evropian, ku jetojnë në paqe të krishterë e myslimanë. Por shqiptarët kanë qenë dhe mbeten besimtarë më të mirë të Evropës në Ballkan, jemi të tërë si shqiptar aleat të palëkundur, ku Shqipëria nuk ka pushuar së qeni një faktor paqe e stabiliteti. Ky është viti i parë pa asnjë konflikt në Ballkan. Shqiptarët mbeten garant të paqes dhe stabilitetit në rajon megjithëse fjala vjen as marrëveshja e Ohrit dhe as marrëveshjet e prillit të vjetshëm me Serbinë nuk respektohen nga të tjerët, ashtu si nga shqiptarët. Është bërë e udhës që Shqipëria por edhe Kosova, pasi u bë shtet më vete, të asociohen me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. A thua se kjo tokë është vendlindja e krimit global?! Çrrënjosja e këtyre paragjykimeve duhet të jetë prioritet i qeverisë dhe i mbarë popullsisë. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shumë më tepër respekt”, theksoi ai.

Në vijim ai tha se “mund ta bëjmë Shqipërinë një vend përrallor me të cilin Evropa mund të bjerë në ‘sevda’”.

“Nuk po përpiqem që ti ngre shqiptarët në piedestal, por po mundohem të them se çfarë aseti i vyer politik janë për Evropën e Bashkuar Shqipëria dh shqiptarët kudo në rajon. Përpos akuzave dhe kritikave, ky popull duhet të respektohet më shumë për atë që i ka dhënë Evropës për këto kohë për rreth 20 vite. Paqja e shumëkërkuar nuk duhet të tretet në mes të injorancës. Askush në BE nuk mund ti kërkohet të mbyllin sytë përballë plotësimit të kërkesave. Ndaj të harrojmë se në këtë proces do na falë ndonjë gjë, ndaj askush s’do na tërheqë. Kjo s’mund të ndryshojë dhe nuk është as në interesin tonë të na ndihmojë. Se do ishte sikur të na jepte ndonjë diplomë, që s’do kishte vlerë. Duhet të intensifikojmë marrëdhëniet me rajonin, pjesë e agjendave tona. Shqipërinë e presin ende shumë sfida për të realizuar dhe kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Ne besojmë se krijimi i një vetëdije të plotë të Bashkimit Evropian, si detyra të shtëpisë, janë vetëm njëra anë e medaljes”.

“Me ide të reja, kurajë, këmbëngulje, që deri dje më është dukur e pamundur, ne mund ta bëjmë Shqipërinë një vend që na e ka falur zoti, një vend që Evropa mund të bjerë në ‘sevda’”, tha pos tjerash kryeministri i Shqipërisë.

Mes të ftuarve të shumtë të politikës shqiptare, ambasadorëve, përfaqësuesve të mediumeve, artit e shumë fushave të tjera, pjesëmarrës në ceremoninë për statusin në  Pallatin e Brigadave ishin edhe politikanë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.