Shqipëria U21 barazon me Irlandën e Veriut

Na mposhtën në ndeshjen e parë me një gol në minutën e 95-të, ndërsa në “Selman Stërmasi” Irlanda e Veriut rrëmben një pikë teksa shënon golin e barazim ndaj Shpresave të Shqipërisë në minutën e parafundit të kohës së rregullt.

Sport

10/11/2017 20:24

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar me një epërsi të lehtë të kuqezinjve në qarkullimin e topit, por mungonte forca goditëse drejt portës. Mungesa e një sulmuesi shtatlartë ka bërë që aksionet nga krahët ishin pa finalizim.

Në pjesën e dytë, Bushi e kishte spostuar skuadrën më lartë dhe loja e Ndojit në mesfushë ishte e shkëlqyer. Për shumë minuta kuqezinjtë dominuan duke e mbyllur në portë Irlandën. Shpresat e Shqipërisë arritën të gjejnë golin në minutën e 83. Futbollisti, i cili aktivizohet te Vejle në Danimarkë ishte autor i golit dhe festës që zgjati pak minuta.

21-vjeçarët e Irlandës së Veriut reaguan dhe në minutën e 89 gjetën golin e barazimit, duke e vulosur në 1-1 rezultatin e këtij takimi.