Shqipëria të mos bëhet kosh plehrash

Vetëvendosje thërret për protesta dhe “presion popullor” kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë.

Lajme

14/11/2013 14:57

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar  se do t’i bashkohet thirrjes për protestë kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, ku gjithashtu kjo Lëvizje bën thirrje për qytetarët që të shprehin “qytetarinë aktive, solidaritetin për kauzën e atdheut tonë të përbashkët”.

Në një komunikatë për shtyp, të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje, shprehet shqetësimi për asgjësimin e këtyre armëve në Shtetin Shqiptar.

Gjithashtu, Vetëvendosje mbetet e shqetësuar për mostransparencën e Qeverisë Shqiptare për këtë çështje.

“Si shqiptarë, jemi të shqetësuar për mungesën e informacioneve zyrtare mbi këtë çështje. Në deklaratat e tyre Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të jashtme, Ditmir Bushati kanë informuar se ende nuk ka marrëveshje, por ka bisedime”.

“Kjo çështje është tepër delikate, rrezikon shëndetin fizik të qytetarëve siç rrezikon edhe integritetin territorial dhe natyrën e vendit tonë”.

“Vëmë re se pranimi i lëndëve helmuese luftarake të Sirisë në Shqipëri, gjithashtu shkon përkundër konventave ndërkombëtare, të cilat ndalojnë importimin e këtyre lëndëve, qoftë dhe për arsye të asgjësimit”.

“Ndalohet edhe prej vetë ligjit të Republikës së Shqipërisë kundër importit të mbetjeve, ligj i cili në vetvete përbën një prej arritjeve të qeverisjes së Edi Ramës”.

Vetëvendosje thotë se sjellja e këtyre armëve për asgjësim në Shqipëri, po bëhet pasi Shqipëria është shtet i varfër dhe bindet lehtë.

“Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë vënë re se Shqipëria do t’i pranojë këto armë, për shkak se është vend i varfër dhe blihet lehtë”.

“Në konstatime të tilla nuk mund të mos vëmë re një racizëm të shprehur haptazi, një trajtim të pabarabartë, të paragjykuar dhe jo-dinjitoz të Shqipërisë”.

Vetëvendosje mendon se vetëm protestat popullore do të mund të ndihmonte Qeverinë shqiptare që të mund ti thotë “JO” asgjësimit  të armëve kimike në territorin shqiptar.

“Nëse Qeveria e Shqipërisë gjendet përballë presionit ndërkombëtar për t’i pranuar këto armë, atëherë është i nevojshëm presioni popullor, që do ta ndihmonte e do ta forconte Qeverinë për t’i thënë “Jo!” importit të armëve kimike”.

“Lëvizja Vetëvendosje i bashkohet qytetarëve shqiptarë në këmbënguljen e tyre për t’i mbajtur armët kimike larg vendit tonë, pa u bërë armiq të askujt, por pa u shndërruar në kosh plehrash për askënd”, thuhet në komunikatën e  Lëvizjes Vetëvendosje.