Shqipëria synon që Lumin Vjosa ta bëjë park kombëtar

Zyrtarët shqiptarë, të hënën, shpallën lumin Vjosa dhe degët e tij një park kombëtar të ardhshëm, veprim ky që synon të ruajë atë që ata e quajtën një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë.

Lajme

13/06/2022 18:42

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri nënshkroi një marrëveshje me organizatën mjedisore Patagonia me qendër në Kaliforni për të hartuar një “plan të integruar dhe të qëndrueshëm” për parkun e ri.

“Kjo është një mundësi për të mbrojtur një nga lumenjtë e Evropës, me të vërtetë një nga lumenjtë më të çmuar të Evropës”, tha Ryan Gellert nga organizata Patagonia për Associated Press.

Patagonia, së bashku me grupet e tjera mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, do të ndihmojnë në organizimin dhe financimin e një paneli ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas, të cilët do të hartojnë kornizën për parkun dhe gjithashtu do të krijojnë “ndërgjegjësimin në mbarë botën për këtë bukuri natyrore”.

Lumit Vjosa është gjatë 270 kilometra, i cili rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Ajo gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60 mijë shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.

Shpallja si park kombëtar do të pasurojë “brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Europë”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ai tha se qeveria ka anuluar planet e saj të ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj që do të prodhonin energji elektrike për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor. Ambientalistët thonë se digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lum.

Zyrtarët nuk treguan se çfarë do të bëhet me hidrocentralin gjysmë të ndërtuar në Kalivaç në Vjosë.

“Marrëveshja është një hap serioz drejt fillimit të një projekti të përbashkët të shumë aktorëve, jo vetëm të qeverisë, në ndërtimin e parkut kombëtar,” tha Olsi Nika nga EcoAlbania, një nga grupet që kundërshtuan ndërtimin e digave.

Si Nika ashtu edhe Gellert thanë se duhen vite para se parku kombëtar të bëhet zyrtar. Aktualisht është zonë e mbrojtur. As qeveria dhe as grupet mjedisore nuk mund të thonë menjëherë se sa i madh do të jetë parku i ri – duke supozuar se kjo është një pyetje për panelin e ekspertëve – por Rama tha se do të ishte më i madhi në Shqipëri.

Gjatë vitit 2021 shumë fshatarë dhe aktivistë mjedisorë kishin kundërshtuar planin e qeverisë për të ndërtuar më shumë se 30 hidrocentrale përgjatë rrjedhës së Lumit Vjosa. Sipas ekspertëve dhe aktivistëve lokalë, ndërtimi i digave do të përmbyste zona të mëdha dhe do të dëmtonte ekosistemin.