Shqipëria shpall prioritetet e kryesimit të OSBE-së gjatë 2020-s

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se vendi i tij është i vendosur të kontribojë në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian, përderisa Shqipëria po përgatitet të marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), gjatë vitit 2020.

Lajme

11/07/2019 19:43

Komentet, Cakaj i bëri gjatë një adresimi në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, ku prezentoi përparësitë e kryesuesit të rradhës së organizatës.

Shqipëria, ndër përparësitë e kryesimit të saj ka veçuar çështjen e ekstremizmit dhe radikalizmit, duke thënë se do të nxisë përpjekjet në luftën kundër tyre.

“Në adresimin e kërcënimeve transnacionale, kryesuesi i vitit 2020 do të nxisë përpjekjet në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që çon në terrorizëm, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjes së kthimit të luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjeve të tyre”, tha Cakaj.

Në fjalimin e ti, Cakaj, përmendi si prioritete edhe sigurinë kibernetike, luftën kundër trafikimit dhe korrupsionit.

“Korrupsioni gërryen themelet e besimit mes qytetarëve dhe shtetit. Kjo është një pengesë e madhe për rritjen ekonomike dhe nxitë pabarazinë, mosndëshkimin dhe paqëndrueshmërinë”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar, i tha organit më të lartë të OSBE-së, se zgjidhja dhe përpjekjet për parandalimin e konflikteve, do të jenë në krye të agjendës së Shqipërisë.

Një çështje tjetër të cilën, Shqipëria do ta adresojë gjatë kryesimit të OSBE-së, është edhe roli i gruas në ndërtimin e paqes.

“Shqipëria do të punojë drejt promovimit të rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve dhe proceseve paqësore. Por, situata e grave është shqetësuese, jo vetëm në zonat e konfliktit”, tha Cakaj.

Më 1 janar të vitit 2020, Shqipëria do të marrë kryesimin e OSBE-së nga Sllovakia.